I mandatuari për krijimin e qeverisë së re teknike në Malin e Zi mund të jetë një person jashtë partive politike.
Disa burime konfirmuan për mediat vendase se po shihet me prioritet mundësia e caktimit të një individi të përfshirë prej dy dekadash në sektorin e OJQ-ve, i cili ka kontakte të mira në qarqet ndërkombëtare dhe i vjen “pas shijes” përfaqësuesve të këtij komuniteti.
Në këtë mënyrë, do të bëhej një përpjekje për të qetësuar elektoratin e demokratëve nëse ambasadat me ndikim arrijnë t’i bindin ata të formojnë një qeveri teknike me mbështetjen e pakicës së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit të shtetit Milo Gjukanoviq.
“Vijesti” shkruan se partnerët ndërkombëtarë e konsiderojnë DPS-në një “parti pro-europiane” pavarësisht aferave të shumta gjatë qeverisjes së saj tre dekadëshe…Për vite me radhë, Mali i Zi Demokratik i Aleksa Beçicit ka insistuar se nuk do të ekzistonte asnjë marrëveshje mes tij dhe DPS-së, megjithatë së bashku morën pjesë në rrëzimin e qeverisë së Dritan Abazoviç …Mendohet se negociatat për krijimin e ekzekutivit të ri mund të nisin shumë shpejt.
Për momentin ne Malin e Zi askush nuk e ka shumicën për të formuar një qeveri të re. Administrata e udhëhequr nga Abazoviç u bë qeveria me periudhën më të shkurtër në pushtet në historinë politike malazeze – pasi e kishte marrë detyrën vetëm në muajin prill. Rrëzimi i saj erdhi me votat e 50 deputetëve në parlamentin 81-vendësh.
Ky votim sinjalizoi fundin e aleancës politike mes Abazoviç dhe Partisë Demokratike të Socialistëve, te liderit veteran Gjukanoviç, i cili humbi pushtetin në gusht 2020 pas tre dekadash në detyrë, por në prill filloi të mbështesë Abazovicin. Fatin e kryeministrit të ri shqiptar e vulosi marrëveshja e shumë-polemizuar Themelore me Kishën Ortodokse Serbe.
Marrëveshja që parashikon rregullimin e marrëdhënieve mes të Malit të Zi dhe Kishës me bazë në Beograd, njeh vazhdimësinë ligjore të kishës që nga viti 1219, gjashtë shekuj më shumë se Kisha Ortodokse Serbe në Serbi, hap mundësinë e futjes së arsimit fetar në shkolla, e në bazë të saj, shteti merr përsipër të regjistrojë pronat e paluajtshme të paregjistruara në pronësi të dioqezave të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi.