Kampionia e Evropës, Luiza Gega e cila në bëri krenarë duke fituar Medaljen e Artë për garën 3000 me pengesa në Kampionatin Evropian në Mynih, është kthyer sot në Shqipëri.
Ajo u prit në aeroportin e Rinasit nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi dhe nga presidenti i KOKSH-it, Fidel Ylli.
“Jam lodhur shumë për të qenë këtu ku jam sot, kam shumë vite që sakrifikoj. Sot jam më krenare se kurrë për ato ngjyra. Kjo ishte dhe arsyeja pse unë derdha lot në vijën e finishit sepse m’u kthye koha mbrapsht sa me mund dhe sakrificë”, u shpreh Luiza Gega e cila ka falënderuar trajnerin e saj.
“Jam shumë e lumtur që ia dola. E vetme nuk do t’ia kisha dalë kurrë pa mbështetjen e trajnerit. Ka pasur më shumë besim tek unë seç kam pasur unë te vetja”, ka shtuar Gega, e cila dominoi në një garë nga fillimi e deri në fund.