Kreu i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka njoftuar se afro 9 mijë ushtarë ukrainas janë vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në këtë vend.
Duket se kjo është deklarata e parë e këtij lloji, që vjen nga kreu i ushtrisë ukrainase që kur filloi lufta, transmeton Telegrafi.
Gjatë një konference të mbajtur për nderë të veteranëve dhe familjeve të ushtarëve të vrarë, gjenerali ukrainas Valeriy Zaluzhnyi tha se fëmijët kanë nevojë për mbrojtje.
“Ata nuk e kuptojnë se çfarë po ndodhë dhe kanë nevojë për mbrojtje… sepse baballarët e tyre kanë humbur jetën në front dhe janë në mesin e 9 mijë heronjve që u vranë”, shtoi gjenerali ukrainas.
Megjithatë nuk dihet nëse aty përfshihet stafi tjetër ushtarak siç janë rojet kufitare. E Rusia që nga fillimi i luftës, ka hezituar vazhdimisht të zbulojë numrin e saktë të ushtarëve rusë të vrarë. /Telegrafi/