Bangladeshi do t’i mbyllë shkollat për një ditë më shumë, çdo javë dhe do të reduktojë orët e punës për të lehtësuar mungesën e energjisë elektrike, ka thënë një zyrtar qeveritar.
Muajin e kaluar, ky shtet i Azisë Jugore filloi reduktimet e përditshme dyorëshe të energjisë, raportoi BBC-ja të martën.
Protestuesit kanë dalë në rrugë javët e fundit pasi qeveria ngriti çmimet e benzinës me më shumë se 50 për qind. Lufta në Ukrainë ka rritur koston e importit të karburantit dhe ka dëmtuar ekonominë e Bangladeshit si dhe rezervat valutore.
Të hënën, sekretari i kabinetit të Bangladeshit, Khandker Anwarul Islam tha se shkollat, të cilat më parë ishin të mbyllura vetëm të premteve, tani do të mbyllen edhe të shtunave.
Në rrethana normale, shkollat në Bangladesh janë të hapura për gjashtë ditë në javë – të hënën, të martën, të mërkurën, të enjten, të shtunën dhe të dielën.
Ndërkohë, zyrat qeveritare dhe bankat do të shkurtojnë orarin e punës në shtatë orë në ditë, në vend të tetë.
Anwarul tha se qeveria do të vazhdojë të sigurojë energji për fshatrat, duke përfshirë orët e para të mëngjesit kur ujiten të korrat.
Vendi prodhon pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga gazi natyror, një pjesë të të cilit e importon.
Zyrtarët kanë mbyllur të gjitha termocentralet e vendit me naftë, të cilat përbëjnë rreth 6 për qind të prodhimit të energjisë elektrike në Bangladesh, për shkak të rritjes së kostos së importeve të karburantit.
© KOHA.