BotaLajme

Kina bën thirrje për të shmangur me çdo kusht rrezikun në centralin e Ukrainës

Është shqetësues fakti që ditët e fundit kanë vijuar të shtënat me artileri ne centralin bërthamor të Zaporizhzhias, vuri në dukje Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.

“Nuk ka vend për metodën ‘provo dhe gabo’ kur bëhet fjalë për sigurinë e objekteve bërthamore. Çdo incident i vetëm mund të çojë në një aksident të rëndë bërthamor me pasoja të pakthyeshme për mjedisin dhe shëndetin publik të Ukrainës dhe vendeve fqinje,” tha ai në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Kina u bën thirrje edhe një herë palëve përkatëse të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të respektojnë rreptësisht ligjin ndërkombëtar, të zbatojnë me zell shtatë shtyllat bazë të propozuara nga Drejtori i Përgjithshëm Grossi, të shmangin veprimet që mund të rrezikojnë sigurinë bërthamore e të minimizojnë rrezikun e aksidenteve,” shtoi ai.

Kina e ka mbështetur gjithmonë IAEA-në në përmbushjen e përgjegjësive të mbrojtjes në përputhje të plotë me mandatin e saj dhe në luajtjen e një roli aktiv në promovimin e sigurisë bërthamore.

Në rrethanat e tanishme, është e nevojshme që IAEA të bëjë një vizitë në termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias sa më shpejt të jetë e mundur, për të kryer një vlerësim profesional dhe teknik të situatës së sigurisë atje, tha Geng.

“Për t’u marrë me çështjen e sigurisë së objekteve bërthamore, ne duhet t’i përmbahemi shkencës e arsyes, frymës së humanizmit, komunikimit e bashkëpunimit dhe të shkojmë përtej pozicioneve politike, dallimeve armiqësore dhe vlerësimeve ushtarake. Ne nuk duhet të lejojmë tragjeditë e aksidenteve bërthamore të Çernobilit dhe Fukushimës të përsëriten”, tha ai.

Për të zhdukur rrënjësisht rreziqet e sigurisë bërthamore të termocentralit bërthamor të Zaporizhzhias, bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë për çpërshkallëzimin e situatës në mënyrë të përgjegjshme, të shtojë përpjekjet për zgjidhje diplomatike e politike e t’i drejtojë palët përsëri në dialog e negociata, për të arritur një armëpushim e ndërprerje të konfliktit sa më parë, theksoi Geng.

Ai shtoi se Kina u bën thirrje edhe një herë të gjitha palëve që të mbajnë parasysh shqetësimet e ligjshme të sigurisë së njëra-tjetrës, të ndërtojnë një arkitekturë sigurie të balancuar, efektive e të qëndrueshme dhe të bëjnë përpjekje të pandërprera për zgjidhjen e përshtatshme të krizës në Ukrainë dhe arritjen e paqes e të stabilitetit të qëndrueshëm në rajon vuri në dukje Geng Shuang, zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara.

Show More

Related Articles

Back to top button