Një gjykatë në Pakistan ia ka zgjatur për një javë lirimin me kusht ish-kryeministrit pakistanez, Imran Khan, mbi akuzat për terrorizëm që kanë ndezur tensionet politike në vend.
Vendimi i gjykatës i marrë më 25 gusht, zgjat masën deri më 1 shtator. Khani, ish-yll ndërkombëtar i briketit – i kthyer në politikan, ishte i pranishëm në seancën dëgjimore në Islamabad.
Reuters citoi avokatin dhe ndihmësin politik të Khanit, Babar Awan, të ketë thënë se ekipi i mbrojtjes do të vazhdojë të aplikojë për zgjatje [të masës] për aq kohë sa të jetë e nevojshme.
Akuza për terrorizëm, e ngritur më 22 gusht, pasoi një fjalim të mbajtur nga Khan në Islamabad, gjatë të cilit ai u zotua se do të padiste oficerët e policisë dhe një gjykatës, dhe pretendoi se ata kishin torturuar një bashkëpunëtor të ngushtë, pas arrestimit të tij.
Prej kur është rrëzuar nga pushteti në muajin prill, Khan ka qenë kritik i zëshëm i Qeverisë dhe ushtrisë së shtetit.
Autoritetet e kanë akuzuar Khanin se ka shkelur aktin kundër terrorizmit, pasi supozohet se ka kërcënuar ish-zyrtarët shtetërorë.
Të shtunën, rregullatori për media në Pakistan ka bërë të ditur se kanaleve televizive u ndalohet transmetimi i fjalimeve të drejtpërdrejta të Khanit, dhe ka akuzuar ish-liderin për gjuhë urrejtjeje ndaj institucioneve shtetërore.
Khan pretendon se Qeveria po tenton ta censurojë atë.
Politikani karimazik është zgjedhur kryeministër më 2018, mirëpo është përplasur ashpër me ushtrinë në fund të mandatit.
Pas një serie dezertimesh, ai ka humbur shumicën në parlament.
Ai është rrëzuar nga pushteti përmes një vote mosbesimi në muajin prill, pasi opozita e ka akuzuar për keqmeanaxhim ekonomik, në kohën e rritjes së inflacionit.