Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se e vlerëson presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për siç tha ai, përpjekjet e sinqerta për të mbështetur një zgjidhje evropiane.
Lajçak tha se pas një rundi të dytë diskutimesh që patë me Vuçiqin ai dhe i dërguari special i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shpreson që janë në rrugën e duhur.
“Bisedimet tona do të vazhdojnë”, shkroi Lajçak, transmeton Klankosova.tv.
Për takimin e mbrëmshëm në Beograd, Escobar tha se ishte i vështirë, teksa njëjtë si Lajçak edhe ai tha se “ne e vlerësojmë përkushtimin e presidentit për paqe dhe stabilitet. Ne do të vazhdojmë”.
Kurse, pas mesnate Vuçiq tha se beson që do të arrihet një zgjidhje kompromisi, të paktën për një pjesë, teksa shtoi se “duhen shumë garanci e shumë më tepër punë, por në ditët në vijim do të punojmë fort për të siguruar dhe ruajtur paqen për popullin tonë”.