LajmeMaqedoni

Vetëm një pjesë e vogël e kompanive blejnë energji elektrike në tregun e lirë

Pushteti pretendon se qytetarët dhe kompanitë në këtë krizë energjetike marrin ndihmë nga shteti. Qëndrimi i autoriteteve është se amvisëritë kanë pasur rritje minimale të energjisë elektrike, dhe vetëm një pjesë e vogël e kompanive e blejnë energjinë nga tregu i lirë. Çmimi që paguajnë kompanitë në Maqedoni është rreth 200 euro për megavat orë, kurse në bursa është disa herë më i lartë, thotë ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

“Vetëm një pjesë e kompanive, kryesisht kompani të mëdha që kanë nga 1000 ose 2000 të punësuar, janë në tregun e lirë. Që do të thotë se, ata furnizohen nga tregtarë të caktuar të licencuar në shtetin tonë”, tha Kreshnik Bekteshi- ministër i ekonomisë.

Drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski pohon se nuk ka hapësirë për panik pas dështimit të planit për shkëmbim me Kosovën, ku pritej që ata të na japin thëngjill ndërsa ne rrymë. Problem kanë shkaktuar ligjet dhe rregullativat, por thëngjill do të merret nga Kosova, Shqipëria dhe Greqia, shprehet Kovaçevski. Thëngjill ka mjaftueshëm që të rritet prodhimtaria vendore e rrymës për 20%, në raport me vitin e kaluar, ka thënë mes tjerash drejtori i Centraleve të Maqedonisë së Veriut.

“Për ne në EMV nuk ka asnjë pengesë. Ne do të kemi rritje të prodhimit dhe kufizimet nuk janë opsion për ne”, u shpreh Vasko Kovaçevski, drejtor i EMV-së.

Qeveria dje shpalli krizë në sektorin e energjetikës. Qëllimi është që nëse ndodh fatkeqësi në sektorin e energjetikës, shteti të ndërhyjë financiarisht me kompanitë shtetërore energjetike. Nga 1 shtatori, institucionet shtetërore janë të detyruara të kursejnë energjinë elektrike dhe drejtuesit e institucioneve duhet të tregojnë rezultate në qeveri, ato institucione dhe kompani që nuk kursejnë 15 për qind të energjisë elektrike në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar do të marrin sanksione nga Qeveria. Për familjet dhe kompanitë private masat e kursimit të energjisë elektrike janë në formë rekomandimi. Ndërsa qytetarët paguajnë faturat e reja më të larta të energjisë elektrike nga muaji i kaluar, autoritetet tashmë po e përgatisin opinionin për goditje të re çmimesh nga Viti i Ri./Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button