Edhe kjo e shtunë në Stacionin e Autobusëve në Gostivar nuk ka bërë përjashtime të përcjelljes së mërgimtarëve. Tollovitë, valixhet, përshëndetjet, lotët e ndarjes, tashmë janë bërë të zakonshme në këtë stacion, sidomos gjatë të shtunave kur një numër i madh i autobusëve kthejnë mërgimtarët drejt vendeve të perëndimit.
Një pjesë e mërgimtarëve të cilët kishin shfrytëzuar pushimet në vendlindjet, kishin zgjedhur Agjencionin Turistik “Solo Reisen” për t’u kthyer në vendet ku ata jetojnë e janë me punë të përkohshme, gjegjësishjt Zvicrën të cilën vend ky agjencion turistik e ka destinacion të rregulltë gjatë gjithë vitit për vajtje-ardhje.
“Janë tre autobusë të cilët sot kanë nisur për në Zvicër. Kemi udhëtarë plotë dhe pos nga Gostivar, kemi edhe nga qytete të tjera të vendit. Siguria gjatë udhëtimit mbetet prioritet për agjencionin tonë turistik dhe urojmë t’i kthejmë shëndoshë e mirë ashtu siç i sollë në vendlindje”, thekson Ristem Memedi, menaxher i Agjencionit Turistik “Solo Reisen”.
Numri i familjarëve, miqve e shokëve që për në mërgim përcillnin më të dashurit e tyre, edhe kësaj here ishte i madh.
Bashkëatdhetarët në vendlindje do të kthehen sërish pas 5-6 muajve për pushimet dimërore.