Tiranë- Interpol Tirana ekstradon drejt Spanjës 2 shtetas në kërkim ndërkombëtar. Ata u kapën nga strukturat e Policisë së Fierit dhe Vlorës.
Pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Ekstradimit midis Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Spanjës, më 16 mars të këtij viti, Policia e Shtetit ka intensifikuar punën, me qëllim lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar nga autoritetet spanjolle.
Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana në bashkëpunim me homologët spanjollë, u bë ekstradimi drejt Spanjës, i A. Xh., 38 vjeç, banues në fshatin Bishan, Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore spanjolle, me vendimin e datës 15.01.2021, kanë lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar ndaj tij, për veprat penale “Trafiku i narkotikëve” dhe “Organizata kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal i Spanjës.
38-vjeçari u vu në pranga më 07.05.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lugo”, zhvilluar nga Policia e Vlorës.
Gjatë ditës së djeshme, u ekstradua gjithashtu drejt Spanjës R. T., në kërkim për vepra penale në fushën e narkotikëve dhe kundër shëndetit publik i vënë në pranga nga Policia e Fierit, më 06.05.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vilanova”.