Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti një ditë më parë u bëri thirrje krerëve opozitarë për tu takuar dhe për t’i informuar ata për takimin e fundit që pati në Bruksel për çështjen e dialogut.
Kurti deklaroi se dallimet e mospajtimet politike që kanë mes vete pozitë e opozitë, nuk duhet të tejkalojnë interesin shtetëror.
Ndonëse opozita deklaroi se nuk kanë pranuar ende ftesë për takim, nga Zyra e Kryeministrit kanë bërë të ditur për Telegrafin se ftesat tashmë u janë dërguar.
“Dje u janë dërguar ftesat në formë elektronike, kurse sot fizikisht”, ka thënë për Telegrafin, Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë.
Kryeziu ka bërë të ditur gjithashtu se Kurti i ka ftuar partitë opozitarë që të takohen nesër.
“Ftesa për takim është për ditën e nesërme, pra të martën”, tha zëdhënësi i Qeverisë.
Dje nga partitë opozitare deklaruan se nuk kanë pranuar ende ftesa për takim dhe se në momentin e pranimit të ftesës do të shqyrtojnë edhe pjesëmarrjen.
Nga AAK-ja dje për Telegrafin deklaruan se nuk kanë pranuar ftesë për takim.
“Në moment që kemi ftesë do e shqyrtojmë pjesëmarrjen dhe do të dalim me përgjigje”, deklaroi, zëdhënësi i AAK-së, Lulëzim Blaka.
Ftesë për takim u tha se nuk kanë pranuar as në Partinë Demokratike të Kosovës, kurse nga LDK-ja nuk iu përgjigjen pyetjeve të Telegrafit.
Ndryshe, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri e ka theksuar nevojë urgjente që të zhvillohet një dialog i brendshëm pozitë-opozitë.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haziri ka theksuar se përafrimi i qëndrimeve të SHBA-së dhe BE-së për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi, ka krijuar një momentum të ri për procesin i cili duhet të kapitalizohet.
Kosova dhe Serbia më 27 gusht kanë arritur marrëveshje për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e dy shteteve.
Kjo marrëveshje nënkupton se qytetarët e Serbisë dhe ata të Kosovës, do të mund të kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë që të pajisen me një letër shtesë të hyrje-daljes.
Këtë praktikë Serbia e kishte aplikuar qe 11 vjet, ndërkaq Kosova lëshoi dokumente të tilla për disa orë gjatë 1 gushtit.
Ndërkaq, më 1 shtator pritet të hyjë në fuqi vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e makinave. Ky vendim konsiston në riregjistrimin e makinave që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.