LajmeMaqedoni

Osmani për vizitë dyditore në Slloveni, do të marrë pjesë në Forumin strategjik të Bledit

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot dhe nesër do të jetë në Slloveni, ku do të marrë pjesë në forumin e 17-të tradicional strategjik të Bled-it të titulluar “Sundimi i pushtetit ose fuqia e rregullave”, transmeton Portalb.mk.

Forumi i këtij viti do t’i kushtohet diskutimeve mbi krizën e rendit shumëpalësh, pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës dhe reagimin e komunitetit ndërkombëtar ndaj sfidave të reja,njoftoi MPJ

Ministri Osmani do të mbajë fjalim në panelin “BE dhe Ballkani Perëndimor: kush është i gatshëm”, ku do të marrin pjesë edhe zëvendësndihmës sekretari i shtetit të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar, Ministrat e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gervala Schwartz, i Malit të Zi, Ranko Krivokapiq dhe BeH, Bisera Turkoviq, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe çështje të tjera rajonale Miroslav Lajçak, përfaqësuesi i lartë për BeH Kristijan Shmid dhe Zoran Neçev nga Instituti për Demokraci Societas Civilis – Shkup.

Në margjinat e forumit është planifikuar që Osmani të ketë takime bilaterale me kolegë dhe pjesëmarrës të tjerë.

Në shtatëmbëdhjetë vitet e ekzistencës së tij, Forumi Strategjik Bled është shndërruar në një konferencë ndërkombëtare kryesore në Evropën Qendrore dhe Juglindore, e cila tërheq një gamë të gjerë pjesëmarrësish – burrshtetas, politikanë, profesorë, biznesmenë, të cilët debatojnë për sfidat bashkëkohore rajonale dhe globale dhe kërkojnë zgjidhje inovative.

Vitin e kaluar në këtë forum mori pjesë ish-kryeministri Zoran Zaev, i cili forum, iu kushtua temës “Ardhmëria e Evropës”.

Show More

Related Articles

Back to top button