BotaLajme

Ekspertë të OKB-së janë nisur drejt centralit bërthamor “Zaporozhje”

“DUHET TA MBROJMË SIGURINË E CENTRALIT MË TË MADH BËRTHAMOR NË EVROPË”

Një ekip i njësisë për energji bërthamore në Kombet e Bashkuara është nisur drejt centralit më të madh bërthamor në Evropë, Zaporozhje në Ukrainë, i cili që nga muaji shkurt është nën okupimin rus. Misioni i Agjencisë për energji bërthamore, sipas Ministrit Ukrainas të Punëve të Jashtme, Dmitro Kuleba, pritet të jetë “detyra më e vështirë e Agjencisë” deri më tani. Moska dhe Kievi ndërmjet vete akuzohen për sulme në impiant, nga lëshimi eventual i radioaktivitetit prej të cilit ka frikë gjithë Evropa.

Ekspertët e Agjencisë për energji bërthamore të Kombeve të Bashkuara pritet që deri në fund të javës të kenë qasje në centralin nuklear në Zaporozhje që të vërtetojnë nëse ka dëmtim të impiantit dhe si funksionojnë sistemet e tij të sigurisë. Drejtori i IAEA, Rafael Mariano Grosi, e udhëheq ekipin prej 14 anëtarësh, ndërsa në Tëitter ka shkruar se “më në fund erdhi dita e rëndësishme”.

“Misioni i Agjencisë për energji bërthamore për mbështetje dhe ndihmë të Zaporozhjes është duke ardhur. Duhet ta mbrojmë sigurinë e centralit më të madh bërthamor ukrainas dhe evropian. Jam krenar që e udhëheq ekipin, që në Zaporozhje do të mbërrijë deri në fund të javës.”deklaroi Rafael Mariano Grosi.

Gjatë javëve të fundit ekspertët ukrainas për energji bërthamore alarmuan se ka kërcënime nga përhapja e radioaktivitetit nga centrali bërthamor Zaporozhje, duke pohuar se forcat ruse granatojnë në rrethinë.

“Nuk mund të themi se janë mënjanuar të gjitha rreziqet sepse në central janë shkelur të gjitha standardet e Agjencisë për energji bërthamore të Kombeve të Bashkuara. Në rrethinë ka prani të forcave ruse, rreth 500 ushtarë.”deklaroi Petro Kotin, Energoatom, Zaporozhje.

Frika nga radioaktiviteti ekziston jo vetëm në rrethinën e Zaporozhjes, por në gjithë Evropën, pasi para më shumë se 35 viteve gjithë kontinenti u rrezikua nga havaria në Çernobil, një central tjetër bërthamor në Ukrainë. Nga IAEA këtë fundjavë njoftuan se për momentin shkalla e radioaktivitetit në Zaporozhje, ku janë në funksion gjashtë reaktorë, është në kufijë të normales. Forcat ruse i akuzojnë ukrainasit për dy sulme në impiant gjatë ditëve të fundit, ndërsa Kievi pohon se raketat ruse kanë sulmuar qytetin e afërt Enerhodar, por edhe pjesë të centralit./KlanMacedonia/

Show More

Related Articles

Back to top button