Ngarkesa e parë e grurit nga Ukraina në Afrikë, që nga fillimi i luftës, ka mbërritur në portin e Detit të Kuq në Xhibut.
Anija me flamur libanez po transporton 23.000 tonë grurë të nisur për në Etiopinë fqinje. U deshën dy javë për të udhëtuar nga Deti i Zi në Xhibut.
Xhibuti është një vend i vogël me popullsi prej 900.000 banorësh, por ka një nga portet më të ngarkuara në kontinent, shkruan BBC-ja të martën.
Punëtorët kanë filluar të shkarkojnë ngarkesën e saj të çmuar, ndërkohë dy vinça gjigantë janë pozicionuar për operacionin.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit të Kombeve të Bashkuara (WFP) do të duhet rreth një javë që gruri të futet në thasë dhe të dërgohet për në Etiopi, ku 20 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë ushqimore.
Organizata ka paguar për këtë dërgesë sepse stoqet e saj për të mbështetur refugjatët dhe njerëzit e zhvendosur nga konflikti dhe thatësira kishin filluar të mbaronin.
Para luftës në Ukrainë, WFP-ja siguronte tri të katërtat e ndihmës së saj ushqimore nga Ukraina dhe Rusia.
© KOHA.