LajmeRajon

​Kosova hap negociatat për Marrëveshjen Ndërkombëtare për Tregti të Lirë me shtetet e EFTA-s

Republika e Kosovës dhe Shtetet anëtare të EFTA-s (Norvegjia, Zvicra, Islanda dhe Lihtenshtajni,) janë takuar në Gjenevë për raundin e parë të negociatave drejt një marrëveshjeje të tregtisë së lirë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nëpërmjet ekipit negociator të përbërë dhe udhëhequr nga Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në KIESA, ka zhvilluar negociata me delegacionin e EFTA-s të kryesuar nga Karin Buchel, ministre në Sekretariatin Shtetëror për Çështjet Ekonomike të Zvicrës.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se palët negociuese diskutuan mbi tregtinë e mallrave, rregullat e origjinës, lehtësimin e tregtisë, masat sanitare dhe fitosanitare, barrierat teknike në tregti, konkurrencën, mjetet juridike tregtare, çështjet ligjore dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.

Bëhet e ditur se investimet, shërbimet dhe prokurimet qeveritare u trajtuan në nivel të krerëve të delegacioneve dhe u pajtuan që po në këtë nivel të diskutohen përsëri në rundin e dytë të negociatave që do të mbahet në Republikën e Kosovës.

“Shtetet e EFTA-s mbeten partnerë të rëndësishëm tregtarë të Republikës së Kosovës. Shkëmbimet tregtare me këto vende kanë shënuar vazhdimisht rritje. Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, në vitin 2019 eksportet e Kosovës ishin 26.28 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 eksportet u rritën dukshëm, duke shënuar 52.09 milionë euro. Ndërsa sa i përket importeve nga shtetet EFTA-s, në vitin 2019 vlera e importeve ishte 33,86 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 ishte 35,6 milionë euro, rrjedhimisht një bilanc tregtar pozitiv”, thuhet në njoftim.

Sipas MINT-it, synimi kryesor i kësaj marrëveshjeje është zgjerimi i mëtejshëm i prezencës së produkteve të Kosovës në tregjet e EFTA-s, krijimi i një ambienti konkurrues, eliminimi i barrierave tregtare me fokus te veçantë rritjen e eksporteve dhe investimeve.

“Diskutimet ishin konstruktive dhe hapën rrugën për përfundimin e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë reciprokisht të dobishme. Delegacionet u dakorduan për të mbajtur një raund të dytë të negociatave tregtare në Prishtinë deri në fund të vitit 2022”, thuhet në fund të komunikatës.

Show More

Related Articles

Back to top button