Sekretari shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes Dragan Nikoliq ka dhënë dorëheqje nga posti i tij. Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, dorëheqja e Nikoliqit është për arsye personale dhe shëndetësore, transmeton Portalb.mk.
Nikoliq ka qenë sekretar shtetëror në mbrojtje për më shumë se 5 vjet, përkatësisht nga 28 qershori i vitit 2017 deri më 1 shtator 2022.
“Gjatë periudhës kur Nikoliq u emërua në këtë funksion të lartë në Ministri, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare me të drejta të plota në Aleancë, ndërsa në kuadër të institucionit u ndërmorën hapa të rëndësishëm në drejtim të përmirësimit të kushteve të punës dhe statusit të anëtarëve të Armatës, kurse filluan edhe deri tani proceset më të mëdha të modernizimit dhe pajisjes”, thuhet në njoftim.
Ministria e Mbrojtjes falënderoi Nikoliqin për angazhimin e tij në pozitën e sekretarit shtetëror dhe kontributin e tij personal në zhvillimin e kapaciteteve institucionale.