Bullgaria nga fillimi i tetorit deri në fund të marsit të vitit të ardhshëm do të dërgojë 200 megavat orë energji elektrike për të zbutur krizën energjetike në Maqedoninë e Veriut, duke siguruar furnizim të pandërprerë të industrisë me energji elektrike, që është një nga kërkesat kyçe të sektorit të biznesit në vend, është dakorduar pas takimit të djeshëm në Sofje të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kolegut të tij bullgar Galab Donev.
Dy kryeministrat ranë dakord për formimin e një grupi punues i cili duhet t’i përcaktojë aspektet teknike në lidhje me nënshkrimin dhe përfundimin e marrëveshjes në fushën e energjisë elektrike për furnizimin e sasive deri në 200 megavat/orë energji elektrike për nevojat e Maqedonisë së Veriut, përfundimisht me marsin e vitit të ardhshëm.
“Si politikanë dhe qeveri të përgjegjshme ne kemi detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj ekonomisë të sigurojmë gjithçka që është në mundësinë tonë që t’i bëjmë kushtet më të mira, në kohë të krizës së këtillë. Pikërisht për këtë jemi sot këtu së bashku me Bullgarinë fqinje që të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje për furnizim me energji elektrike gjatë tremujorit të katërt të këtij viti dhe tremujorit të parë të vitit të ardhshëm, në kushte që do të jenë optimale për ekonominë”, tha kryeministri. Kovaçevski në konferencën e përbashkët për shtyp në Sofje me kolegun Donev.
Kovaçevski theksoi se në takim delegacioni ynë i ka treguar detajet se çfarë kemi nevojë, e cila vjen edhe nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut për çfarë edhe kryetari i Odës ka qenë pjesë e delegacionit.
“Fillimisht së bashku ramë dakord me Republikën e Bullgarisë të formojmë menjëherë të mërkurën një grup pune të përbërë nga Ministria e Ekonomisë së vendit tonë, Ministria e Energjetikës së Bullgarisë, si dhe EMV dhe kompani e tjera në kuadër të Bullgarisë ku do të bisedohet për parametrat teknikë në lidhje me kapacitetet dhe transportin e energjisë elektrike. Lidhur me çmimet që do të duhet të përcaktohen në përputhje me legjislacionin e Bullgarisë në përputhje me direktivën dhe legjislacionin e BE-së dhe në përputhje me legjislacionin e Maqedonisë së Veriut. Gjithashtu biseduam edhe për sasitë që nevojiten te ne duke pasur parasysh se Bullgaria është një vend që eksporton energji elektrike, falë kapaciteteve që i ka veçanërisht energji elektrike të prodhuar nga një central bërthamor”, tha Kovaçevski.
Është bërë fjalë edhe për lidhjen me interkonektorin e ri të gazit që do të bëhet në pjesën e lidhjes me gaz të lëngshëm dhe në raport me kapacitetet e interkonektorit ekzistues që kemi me Bullgarinë, si dhe për mundësitë e ruajtjes së gazit të lëngshëm në depot që ekzistojnë në Bullgari.
“Patëm një takim që u mbajt në frymën e vullnetit të mirë. Në një frymë të tillë të vullnetit të mirë, shpresoj që grupi i punës që do të fillojë të punojë menjëherë pas festës në Bullgari dhe para festës sonë, që në më pak se dy javët e ardhshme të kemi një zgjidhje që do të jetë me interes të dyanshëm, dhe të ekonomisë të të dyja vendeve”, tha Kovaçevski.
Donev konfirmoi se nga e mërkura fillin Grupi i përbashkët i cili do t’i përpunojë të gjitha detajet teknike lidhur me nënshkrimin dhe lidhjen e marrëveshjes në fushën e energjisë elektrike, ndërsa është biseduar edhe për mundësinë që interkonektori i Maqedonisë së Veriut dhe terminali i cili ndërtohet në Greqi, që përmes Bullgarisë që furnizimet të mund të balancohen.
Me këtë tha, do të mundësohet që Maqedonia e Veriut të tërheqë sasitë që janë të nevojshme në bazë ditore pa u krijuar vështirësi shtesë në vend dhe me gazin natyror.
Në delegacionin e Maqedonisë së Veriut dje në Sofje ishin edhe ministrat e Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe të Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski, si dhe përfaqësues nga sektorët e ekonomisë dhe energjetikës.
Kovaçevski në Sofje do të takohet edhe me presidentin bullgar Rumen Radevin, ku është biseduar për tejkalimin e përbashkët të sfidave të krizës energjetike dhe thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Kryeministri, në takimin me Radevin, theksoi se delegacioni qeveritar ka mbërritur në Bullgari për të gjetur zgjidhje për t’u përballur me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike, për të ndihmuar ekonominë e cila është në tregun e lirë të përballojë rritje e lartë e çmimit të energjisë elektrike në bursat botërore.
Përballja me pasojat e krizës botërore energjetike është prioritet. Nga ana bullgare u theksua se në ditë të vështira duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin, sepse bëhet fjalë për përballimin e pasojave të krizës më të madhe globale që kujtojmë në historinë e re.\Telegrafi.com\