Një grup emigrantësh shqiptarë kanë rrezikuar jetët e tyre gjatë udhëtimit me gomone drejt Britanisë së Madhe përmes Kanalit të La Manshit.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale nga Mariglend Doçi, kandidat për kryetar të FRPD-së, shihen disa emigrantë të bllokuar në gomonen e përmbytur nga uji.
Ndikuar nga moti i keq, gomonia është mbushur me ujë prej dallgëve të detit. Ata duket janë tepër të shqetësuar dhe filmojnë me celularë atë që po ndodh.
Nuk ka informacion për gjendjen e tyre.
Shumë shqiptarë kanë zgjedhur të emigrojnë drejt Britanisë së Madhe, duke shkuar me gomone drejt vendit ishullor përmes kanalit të La Manshit.
Disa ditë më parë, ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe, Priti Patel ka zhvilluar një takim me oficerët e policisë shqiptare të vendosur në Dover me qëllim zbatimin e planeve të përbashkëta për largimin e emigrantëve shqiptarë që kanë hyrë në këtë vend me gomone.