Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka njoftuar sot vendimin e paprecedent të qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.
Vendimi vjen pas sulmin kibernetik ndaj institucioneve qeveritare pak javë më parë.
Në një njoftim për shtyp, Rama tha se vendimi i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përfshirë edhe atë të sigurisë.
“Në 15 korrikun e shkuar vendi ynë u bë objekt i një sulmi të rëndë kibernetik, i cili kishte si objektiv shkatërrimin e infrastrukturës digjitale të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, si edhe grabitjen e të dhënave dhe të komunikimeve elektronike nga sistemet qeveritare”, tha Rama.
“Sulmi nuk ia arriti qëllimit. Krahasimisht me objektivat e agresorëve, dëmet mund të konsiderohen të vogla. Sistemet u rivunë të gjitha në punë dhe asgjë nuk u zhduk pa kthim”, shtoi ai.
“Hetimi i thelluar na vuri në dispozicion prova të pakundërshtueshme, se agresioni kibernetik ndaj vendit tonë është orkestruar dhe sponsorizuar nga Republika Islamike e Iranit, e cila ka angazhuar katër grupe për sulmin ndaj Shqipërisë. Ndër to edhe një ndër grupet më famëkeqe të terrorizmit kibernetik ndërkombëtar, autor apo bashkëautor i sulmeve të mëparshme kibernetike mbi Izraelin, Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara, Kuvajtin dhe Qipron”, ka sqaruar kryeministri.
“Ne kemi informuar aleatët tanë strategjikë, vendet partnere të NATO-s dhe disa vende të tjera mike, me të cilat kemi ndarë edhe rezultatet e pakundërshtueshme të hetimit që provon burimin e agresionit ndaj vendit tonë”, tha ai.
“Nisur nga sa më lart Këshilli i Ministrave, ka vendosur me efekt të menjëhershëm ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Iranit. Ky vendim i është bërë i ditur me notë zyrtare Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit, të cilës i është kërkuar largimi brenda 24 orëve nga territori i Republikës së Shqipërisë i të gjithë personelit diplomatik dhe tekniko-administrativ, përshfirë edhe atë të sigurisë”, shtoi Rama.
“Kjo masë ekstreme, aspak e dëshiruar po krejtësisht e detyruar, është në proporcion të plotë me seriozitetin dhe rrezikshmërine e sulmit kibernetik, i cili kërcënoi paralizimin e shërbimeve publike, fshirjen e sistemeve dhe grabitjen e të dhënave shtetërore, vjedhjen e komunikimeve elektronike brenda sistemit qeveritar dhe nxitjen e pasigurisë e të kaosit në vend.”
“Dështimi i këtij sulmi masiv mbi vendin tonë, falë rezistencës së sistemeve që kemi ngritur dhe ndihmës së grupeve speciale që na u bashkuan në këtë luftë, nuk është fundi i kërcënimit kibernetik, po thjesht prova se tanimë edhe Shqipëria ka hyrë falë zhvillimit digjital në hartën e gjerë të luftës për sigurinë kibernetike. Por lajmi i mirë është se ne e dimë se çfarë duhet të bëjmë e si duhet ta bëjmë për të mos na prekur dot askush, ashtu siç dimë edhe se do t’i bëjmë siç duhet gjërat e duhura, sepse kemi partnerët e duhur”, tha në fund kryeministri.