Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan nga Beogradi të mërkurën u shpreh i gatshëm të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në rolin e ndërmjetësuesit.
Për këtë u pyet sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha “ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”.
“Jam i gatshëm të ofrojë mbështetjen për tejkalimin e problemeve të hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse Ballkani nuk mund të tolerojë më këto lloj problemesh”, tha të mërgurën Erdogan.
Kryeministri i Kosovës thesksoi se “dialogu bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit”.
“Ata i kanë agjendat e tyre dhe ne Turqinë e kemi shtet mik dhe aleat. Turqia është shtet shumë i fuqishëm në NATO, por dialogu që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë – ku Kosova nuk është aty temë por palë – bëhet me ndërmjetësimin e Brukselit dhe ndihmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nesër do të vijnë përfaqësuesit specialë nga Berlini dhe Parisi që do ta shoqërojnë ndërmjetësin Lajçak, por natyrisht që ndihma e të gjitha shteteve tona mike është e mirëseardhur”, tha Kurti.
Ai foli për vizitën e Erdoganit në Serbi, Bosnjë e Kroaci dhe e pati një mendim se pse ai nuk po vjen në Kosovë e Shqipëri.
“Përshtypja ime është që kjo vizitë ka pasur të bëjë më shumë me Bosnjën, sepse e konsiderojnë si një vend shumë më të rrezikuar se Kosova. Sepse Serbia dhe Kroacia kanë ndikime të fuqishme në Bosnjë dhe vizita në Ballkan kësaj radhe e presidentit turk lidhet me Bosnjën”, tha Kurti. /KSO