LajmeMaqedoni

Sot bëhet një vit nga zjarri tragjik në Spitalin Modular të Tetovës

Më 8 shtator 2021 Maqedonia e Veriut festonte 30-vjetorin e Pavarësisë, e nga ana tjetër mediat filluan të raportojnë për një tragjedi të madhe. Një zjarr i madh kaploi qendrën për COVID-19 në Tetovë.

Në zjarrin vdekjeprurës që kaploi spitalin modular për covid në Tetovë humbën jetën 14 persona tetë gra dhe gjashtë burra të moshës 29 deri 78 vjeç. 2 pacientë të tjerë mrekullisht shpëtuan, bashkë me dy mjekë dhe katër infermiere.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut kishte shpallur tri ditë zie për nder të viktimave. Gjithashtu u organizuan edhe disa protesta për këtë rast.

Pas tragjedisë, dy drejtorët e spitalit në Tetovë, Florin Besimi dhe Artan Etemi dhanë dorëheqje nga postet e tyre. Të njejtën gjë më pas e bënë edhe ministri i Shëndetësisë dhe zëvendësi i tij Venko Filipçe dhe Ilir Hasani, dorëheqjet e të cilëve nuk u pranuan nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev. Kompetentët gjatë gjithë kohës pas tragjedisë deklaronin se spitali modular ka qenë i ndërtuar sipas të gjitha standardeve.

Pas hetimit disa mujor, Prokuroria Themelore Publike e Tetovës, më 27 korrik 2022, ka dorëzuar aktakuzë në gjykatën kompetente kundër tre personave fizik dhe një personi juridik.

Ndërsa një vit pas zjarrit vdekjeprurës në spitalin modular të Tetovës, në Gjykatën Themelore të këtij qyteti nisi gjykimi ndaj tre të akuzuarve. Por, seanca u anulua, pasi dy nga të akuzuarit nuk ishin të pranishëm.

Trupi gjykues nuk dha ndonjë arsyetim për mungesën e të akuzuarve, por njoftoi se seanca gjyqësore do të shtyhet për 14 tetor.

Ish-drejtori i përgjithshëm i spitalit të Tetovës, Florin Besimi, ish-drejtori ekonomik, Artan Etemi, dhe përgjegjësi për spitalin modular, Boban Vecevski, janë të akuzuar në këtë rast.

Ata akuzohen për veprat penale: “nxitje e rrezikimit të përgjithshëm” dhe “mosveprim sipas rekomandimeve shëndetësore në kohë epidemie”.

Show More

Related Articles

Back to top button