Maqedonia e Veriut më 8 shtator shënoni 31-vjetorin e pavarësisë si shtet. Pavarësinë e fitoi përmes një referendumi ku qytetarët e Maqedonisë së Veriut u deklaruan se janë për shkëputje nga ish-Federata e Jugosllavisë.
Përgjatë këtyre tri dekadave, nga strukturat udhëheqëse është premtuar shumë, por janë të pakta projektet kapitale të realizuara në energjetikë dhe infrastrukturë.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka pranuar se shteti do të paguajë një kosto të lartë si pasojë e mungesës së investimeve serioze në sektorin e energjetikës gjatë tri dekadave të pavarësisë së shtetit.
“Në Maqedoninë e Veriut nuk është investuar në kapacitete të mëdha energjetike që nga pavarësia e saj. Është investuar në mullinjtë me erë për prodhimin e 36 megavateve dhe në një hidrocentral, i cili si edhe të tjerët për momentin shfrytëzohet jo me kapacitetin e plotë për shkak se akumulimi ujit është nën 50 për qind”, ka deklaruar Kovaçevski.
Për të tejkaluar krizën energjetike, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur se gjatë këtij dimri planifikon të harxhojë 300 milionë euro – mjete këto që janë sa gjysma e mjeteve të parapara për ndërtimin e hidrocentraleve Çebren dhe Galishte.
Ndërtimi i hidrocentraleve Çebren dhe Galishte në Cërna Rekë (Lumi i Zi) për më shumë se dy dekada ka mbetur pa u përfunduar për shkak të dështimit të 13 tenderëve me radhë për realizmin e këtyre dy projekteve.
Në bazë të studimeve të mëparshme, hidrocentralet Çebren dhe Galishte parashihej të prodhonin 1 mijë gigavat orë energji elektrike brenda vitit, aq sa është kapaciteti të gjitha hidrocentraleve ekzistuese në vend.
Maqedonia e Veriut ka vetëm një hidrocentral në pronësi të saj, atë të Koçjakut, i cili filloi të ndërtohet në vitin 1994 ndërsa u funksionalizua në vitin 2003.
Ndërkohë, janë ndërtuar 75 hidrocentrale më të vogla, të cilat janë në pronësi private.
Maqedonia e Veriut furnizohet me rrymë kryesisht nga termocentrali i Manastirit, i cili është ndërtuar në vitet ‘80.
Në bazë të të dhënave të Komisionit Rregullator për Energjetikë në vitin 2010 Maqedonia e Veriut ka prodhuar 6 mijë e 500 gigavat energji elektrike për orë, përderisa një dekadë më vonë në vitin 2020, prodhimi është ulur në 3 mijë e 600 gigavat në orë.
Kjo ka bërë që Maqedonia e Veriut gjithnjë e më shumë të mbetet e varur nga importi i energjisë elektrike.
Ekspertët e ekonomisë në vazhdimësi kanë theksuar se mosrealizmi i investimeve kapitale, veçanërisht në sektorin e energjetikës dhe orientimi i mjeteve nga arka e shtetit në projekte jokapitale, sikurse “Shkupi 2014”, do të praqesë një goditje të rëndë për zhvillimin e shteti.
“Edhe po të mos e kishim këtë krizë energjetike, këtë rritje të çmimit të energjisë elektrike në tregun ndërkombëtar, herëdokur në Maqedoninë e Veriut do të shpërfaqeshin pasojat e neglizhencës së realizmit të projekteve kapitale energjetike, përkatësisht rritjes së kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike”, ka vlerësuar Xhevdet Hajredini, ish-ministër i Financave.
Pas pavarësisë së Maqedonisë së Veriut , në këto tri dekada janë ndërtuar disa rrugë rajonale, Demir Kapi -Smokvicë dhe Shkup – Shtip.
Por, autostrada që duhet të lidhë kryeqendrën, Shkupin, me dy qytetet turistike si Ohri dhe Struga, mbetet e papërfunduar me vite.
Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në vitin 1995 Maqedonia e Veriut ka pasur 138 kilometra autostradë, ndërsa në vitin 2021, 335 kilometra autostradë. Për 26 vjet në Maqedoninë e Veriut janë ndërtuar 197 kilometra autostradë.
Këto të dhëna, theksojnë afaristët, tregojnë qartë se realizimi i ngathtë i projekteve infrastrukturore mban peng dhe zhvillimin e ekonomisë.
“Përderisa këmbimi tregtar kryekëput mbetet i varur nga gjendja e rrugëve, cilësia e lidhjeve rrugore që ka shteti me vendet fqinje, është e qartë se prioriteti duhet vendosur në infrastrukturën po me vendet fqinje, për të pasur zhvillim ekonomik. Mos të flasim për infrastrukturën hekurudhore, e cila është jofunksionale dhe kjo dëmton zhvillimin e ekonomisë”, thekson për Radion Evropa e Lirë, ish-kryetari i Lidhjes së Odave të Maqedonisë, Mirçe Çekrexhi.
Zgjidhja e problemit të trafikut në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut, Shkup, për dy dekada është parë në ndërtimin e linjave të tramvajit, i cili është premtuar nga të gjithë kryetarët e Shkupit.
Nga ky projekt hoqi dorë kryetari i mëparshëm i qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, duke u orientuar në “sistemin e transportit të shpejtë”, përkatësisht hapjes së korsive të veçanta për autobusët urbanë, me qëllim lehtësimin dhe përshpejtimin e qarkullimit brenda qytetit.
Por, kryetarja aktuale, Danella Arsovska, tha se do ta anulojë tenderin për këtë zgjidhje të transportit urban me arsyetimin se ky projekt është shumë i kushtueshëm.
Ndërtimi i Qendrës Klinike është premtuar që në vitin 2011 nga OBRM-PDUKM-ja, e cila atë kohë ishte në pushtet. Madje, në vitin 2014 kryeministri i atëhershëm, Nikolla Gruevski, dhe ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, e prenë edhe shiritin për fillimin e ndërtimit.
Por, nga ajo ditë mbeti vetëm gropa e hapur gjatë prezantimit solemn të këtij projekti.
Në vitin 2017 me ardhjen e socialdemokratëve në pushet, në krye me Zoran Zaevin si kryeministër, u theksua se mbetet prioritet ndërtimi i Qendrës së re Klinike, por jo në lokalitetin që kishte paraparë pushteti i kaluar, por në një periferi të Shkupit.
Pas katër vjetëve, Qeveria e drejtuar nga socialdemokratët ka propozuar dhe një ligj për ndërtimin qendrës së re klinike që ka hyrë në procedurë parlamentare vitin e kaluar. Ky ligj mbetet i bllokuar nga propozimi edhe i disa amendamenteve shtesë nga ana e opozitës maqedonase, OBRM-PDUKM, e cila është kundër këtij projekti përkatësisht dislokimit të Qendrës Klinike./REL/