BotaLajme

BE mblidhet sot, Hungaria kundërshton vendosjen e çmimit tavan për gazin rus

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, ka paralajmëruar se propozimi për të vendosur një çmim tavan për gazin rus do të rezultonte në ndërprerje të menjëhershme të furnizimeve të energjisë ruse për Evropën.

Këto deklarata ai i bëri para se ministrat e Energjisë të Bashkimit Evropian të takohen për të diskutuar për këtë propozim.

Szijjarto shkroi në Facebook më 9 shtator se “plani për të vendosur çmim tavan vetëm për gazin rus që vjen përmes tubacioneve është krejtësisht kundër interesave evropiane dhe hungareze”.

“Këtë mëngjes… ne do të bëjmë më të mirën që Brukseli më në fund ta kuptojë se furnizimet me gaz nuk janë çështje ideologjike apo politike, por janë një realitet i fortë fizik”, tha Szijjarto.

Ministrat e Energjisë së BE-së pritet që më vonë gjatë 9 shtatorit të takohen për të diskutuar për mënyrat se si të luftojnë rritjen e çmimeve të energjisë.

Shtrenjtimi i energjisë është shkaktuar pasi Rusia ka ndërprerë pothuajse shumicën e dërgesave të gazit për në Evropë në përgjigje të sanksioneve që Evropa ka vendosur ndaj Moskës për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Szijjarto u takua në korrik me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, në Moskë për të kërkuar dërgesa shtesë të gazit për Hungarinë.

Hungaria, që ka kritikuar sanksionet e BE-së kundër Moskës, merr mbi 80 për qind të gazit të saj natyror nga Rusia dhe është shtet transit për një tubacion të madh të naftës që furnizon bllokun evropian, raporton Rel.

Show More

Related Articles

Back to top button