“THYEJ HESHTJEN! FOL! SHPËTO NJË JETË!”, titullohej debati i organizuar nga qendra për psikologji “PERSONA” nga Gostivari e që kishte për qëllim ngritjen e vetëdijes kundrejt vetvrasjes, prezencën e këtij fenomeni në shoqëri, përfitimin e njohurive për faktorët e rrezikut, simptomat dhe mënyrat e parandalimit të tyre. Debat i organizuar në hapsirat e vetë qendrës erdhi në prag të shënimit të 10 Shtatorit, Ditës Ndërkombëtare të Parandalimit të Vetëvrasjeve. Sjellja vetëvrasëse është shumë komplekse dhe varet nga një sërë faktorësh nga mjedisi, si dhe nga karakteristikat individuale të individit. Faktorët e rrezikut janë të shumtë dhe të ndryshëm, thanë eskpertët e pranishëm në debat, sipas të cilëve kryesisht janë çrregullimet mendore dhe psikologjike si dhe ngjarje të ndryshme stresuese gjatë jetës pa mos anashkaluar këtu edhe faktorin gjenetik. Hanife Hasani, psikiatre pranë Spitalit të Gostivarit, thotë se shenjat e para që japin personat e prirur për vetëvrasje janë izolimi, distancimi nga shoqëria. Duke iu referuar shifrave, ajo tha se periudha e pandemisë ka rritur numrin e njerëze që kanë tentuar ti marrin jetën vetes.
“Në bazë të përvojës sime në Spitalin e Gostivarit mund të flas për atë se në kohën e pandemisë kemi rritje të rasteve të vetëvrasjeve. Gjinia femërore është më e prirur për tentimet e vetëvrasjes në krahasim me meshkujt ku numri i vetëvrasjeve është më i lartë se me rastet e tentimeve dhe e kundërta te gjinia femërore. Ndikoi pandemia, ankthi i shtuar, paranoja, depresioni, pastaj humbja e anëtarëve të familjes, të gjitha këto çuan në atë drejtim. Sipas raportit për gjysmën e parë të këtij viti që vjen nga policia, pra duke filluar nga janari e deri në qershor kemi vetëm një vetëvrasje dhe në krahasim me vitin e kaluar është një më pak, ndërsa kemi 14 tentime për vetëvrasje ku kryesisht dominon gjinia femërore dhe janë katër më shumë krahasuar me periudhën e njejtë nga viti i kaluar”, deklaroi doktoreshë Hanife Hasani, psikiatre pranë Spitalit të Gostivarit.
Prof.dr Musa Musai, psikolog thekson se personat e prirur për vetëvrajse duhet trajtuar me kohë përmes shërbimeve dhe terapive profesioniste.
“Statistikat flasin në mënyrë alarmuese, tani për tani llogaritet se në 30 sekonda në botë ndodh një vetëvrasje, d.m.th 3.000 raste janë brenda ditës, 1.2 mlionë raste brenda vitit. Kur e marrim parasyshë edhe faktin se çdo i 30 person, apo se një në 30 persona ai arrinë qëllimit, kjo ndoshta na gëzon si fakt pasi përqindja nuk është edhe më e lartë e proceseve të vetëvrasjes të kryera apo si akte suicidale. Në tërësi ky fenomen kërkon trajtim, aktualizim të sajë kur kemi parasyshë edhe përdorimin e medikamenteve dhe anti-depresnatëve të ndryshëm të cilat njerëzit i shohin si mbështetje. Mbështetja duhet të jetë psikologu, pisko-terapisti, psikiatri, biseda me to, socializimi, afrimi me njerëzit, shmangia e egocentrizimit dhe të gjitha formave të çrregullimit emocional apo të personalitetit”, deklaron prof.dr Musa Musai, psikolog.
Blerita Mazllami psikologe pranë qendrës për psikologji “PERSONA”, tha se kjo qendër gjatë muajit shtator do të ofrojë konsulta, vlerësim dhe mbështetje psikologjike falas për individët të cilët vuajnë nga mendimet suicidale. Do e përdorim këtë muaj për të arritur tek ata që janë duke luftuar me këto mendime direkt apo indirekt, për të rritur shpresën që nuk janë vetëm në këtë betejë, tha ajo.
“Qendra ‘Persona’ e organizon këtë event me qëllim që të vetëdijësohet shoqëria se ka parandalim të këtij fenomeni shoqërorë, pra parandalimin e vetëvrasjeve. Si ditë botërore shënohet në 10 Shtator dhe qëllimi i qendrës tonë është që këtë muaj falas të sigurojmë mbështetje psikologjike për të gjithë ata që janë të inetersuar apo duan ta testojnë ose shohin gjendjen e tyre psiqike. Përveç kësaj këtë muaj do të kemi falas edhe psiko diagostikë për të interesuarit të cilët duan të shohin gjendjen psiqike mendore dhe të bëjnë një lloj vlerësimi për shqetësimet dhe ankthet me të cilat ndoshta ballafaqohen”, deklaroi Blerita Mazllami, psikologe nga Qendra “Persona”.
Ndryshe, shtatori është muaji kombëtar i ndërgjegjësimit për parandalimin e vetëvrasjeve – një kohë për ta ndriçuar këtë fenomen i cili në shoqërinë tonë është tabu dhe i stigmatizuar.