LajmeRajon

Pas takimit me diplomatët e BE, Vuçiç: “Nuk do të ketë njohje të Kosovës”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç tha se vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën. Vuçiç i bëri këto komente në një postim në Instagram, pas takimit me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës për këtë dialog, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune.

Vuçiç, po ashtu, tha se është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Kosovën, në përputhje me Kushtetutën e Serbisë. Në preambulën e Kushtetutës së Serbisë, Kosova përkufizohet si pjesë e këtij vendi. Diplomatët evropianë qëndruan të premten edhe në Kosovë, ku takuan Kryeministrin Albin Kurti.

“Ishte një diskutim i thellë dhe i rëndësishëm. Besoj e kuptoni se nuk mund të japim detaje, sepse do të kemi diskutim të njëjtë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, tha Lajçak pas takimit me Kurtin. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka konfirmuar më herët për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i këtyre vizitave është shqyrtimi i opsioneve për përparim në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Me ndërmjetësimin e BE-së, dy palët janë në negociata qysh në vitin 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren ka ngecur. Më 4 shtator, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, emëruan këshilltarët e tyre për të ndihmuar këtë dialog.

Në një letër dërguar Kurtit dhe Vuçiç po atë ditë, Macron dhe Scholz thanë se normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për Ballkanin Perëndimor. Ata, po ashtu, u bënë thirrje liderëve të Kosovës dhe Serbisë që të tregojnë vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të ndërmarrë vendime të vështira, të cilat, sipas tyre, do të çonin drejt normalizimit të marrëdhënieve.

Kosova thotë se dialogu duhet të përfundojë me njohje reciproke, Serbia kundërshton. Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës së iniciuar nga regjimi i atëhershëm serb. Pavarësia e Kosovës është njohur nga 117 shtete të botës. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e saj “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”. /REL

Show More

Related Articles

Back to top button