BotaLajme

Presidenti Biden, fjalim mbi përpjekjet për t’i dhënë fund kancerit

Presidenti Joe Biden u bëri thirrje amerikanëve të hënën që të bashkohen për një “qëllim të ri kombëtar”, përpjekjen e administratës së tij për t’i dhënë fund kancerit.

Në Bibliotekën dhe Muzeun Presidencial John F. Kennedy, zoti Biden i bëri jehonë fjalimit të famshëm të ish-Presidentit Kennedy 60 vjet më parë, duke e krahasuar garën hapësinore me përpjekjen e tij kundër kancerit dhe duke shpresuar se kjo do të nxisë edhe qytetarët amerikanë.

“Ai përcaktoi një qëllim kombëtar që bashkoi popullin amerikan rreth një synimi të përbashkët”, tha Presidenti Biden për përpjekjet hapësinore të ish-presidentit Kennedy, duke shtuar se kjo mund të bëhet edhe në përpjekjen për t’i dhënë fund kancerit.

Presidenti Biden shpreson t’i sjellë Shtetet e Bashkuara më afër qëllimit që ai vendosi në shkurt për uljen e vdekjeve nga kanceri në Amerikë me 50% gjatë 25 viteve të ardhshme dhe për të përmirësuar në mënyrë dramatike jetën e atyre që kujdesen për pacientët me kancer dhe atë të atyre që vuajnë nga kanceri. Ekspertët thonë se objektivi është i arritshëm, por me investime adekuate.

Presidenti e quajti qëllimin e tij për zhvillimin e trajtimeve dhe terapive për kancerin “të guximshëm, ambicioz dhe plotësisht i realizueshëm”.

Në fjalimin e tij, Biden i bëri thirrje sektorit privat që t’i bëjë ilaçet më të përballueshme për amerikanët. Ai tha se përparimet mjekësore janë të mundshme përmes përqëndrimit të përpjekjeve në fushën e hulumtimeve, financimit dhe të dhënave.

Presidenti amerikan foli për një studim të ri të mbështetur nga qeveria federale për përdorimin e analizave të gjakut në përpjekjet për të zbuluar shumë lloje të kancerit, që do të përmirësonte në mënyrë dramatike zbulimin e kancerit në fazat e tij të hershme.

Sipas vlerësimeve të Shoqatës Amerikane të Kancerit, në vitin 2022 pritet të ketë 1.9 milionë raste të reja me kancer dhe 609,360 njerëz pritet të vdesin nga kjo sëmundje. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë radhitur kancerin si shkaktarin numër dy të vdekjeve në SHBA. Sëmundjet e zemrës janë shkaktari më i madh i vdekjeve në Amerikë.

Djali i Presidentit Biden, Beau vdiq nga kanceri i trurit në vitin 2015. Pas vdekjes së tij, Kongresi miratoi Aktin e Kurave të Shekullit të 21-të, i cili parashikonte 1.8 miliardë dollarë investime për studimin e sëmundjes së kancerit dhe u nënshkrua në ligj në vitin 2016 nga Presidenti Barack Obama. /VOA

Show More

Related Articles

Back to top button