LajmeRajon

Nagavci po merr pjesë në Forumin Botëror të Arsimit 2022, i cili po mbahet në Londër

Ta ndërtojmë të ardhmen së bashku – më të fortë, më të guximshëm, më të mirë”, është tema e sivjetme e Forumit Botëror të Arsimit 2022, i cili po mbahet në Londër, e ku po merr pjesë ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Në këtë Forum, po marrin pjesë ministra të arsimit nga vende të ndryshme, politik bërës dhe ekspertë, të cilët po diskutojnë për çështje dhe sfida të përbashkëta të arsimit.

Me këtë rast, ministrja Nagavci shprehu kënaqësinë e saj që gjendet në këtë panel, që fokusohet në përmirësimin e arsimit dhe të të mësuarit, ndërsa tha se kjo kërkon që nxënësit të besojnë në veten e tyre, në suksesin e tyre në shkollë dhe është detyrë e sistemit arsimor t’i ndihmojë ata të krijojnë besimin në aftësitë e tyre.

Në këtë drejtim, Ministrja theksoi nevojën e ndërtimit të besimit mes institucioneve arsimore, mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve, në mënyrë që të gjithë së bashku të kontribuojnë në përmirësimin e performancës në arsim.

Duke folur për vështirësitë aktuale me të cilat po ballafaqohet arsimi, ministrja Nagavci përmendi se Kosova ka një sistem të vlerësimit të performancës së mësuesve, por për momentin ai nuk është i lidhur me ndonjë skemë shpërblimi dhe zbatimi i plotë i tij mbetet sfidë.

Po ashtu, Ministrja tha se mundësitë për zhvillim profesional të mësimdhënësve janë të kufizuara dhe planifikojmë ta rishikojmë shumë shpejt për ta bërë më funksional dhe efikas.

Ajo theksoi se Qeveria po mbështetë mësimdhënësit dhe nxënësit në punën e tyre dhe ngritjen e performancës, ndërsa tha se duhet të punojmë në atë drejtim duke mësuar edhe nga përvojat e sistemeve të tjera arsimore dhe duke përshtatur praktikat e mira me kontekstin tonë.

Forumi Botëror i Arsimit sivjet po shqyrton se si vendet kanë kërkuar të rivendosin pjesëmarrjen e të rinjve në arsim, duke përfshirë përdorimin efektiv të mësimit në distancë aty ku është e nevojshme; çfarë strategjishë plotësuese janë përdorur për të trajtuar humbjen e të nxënit; si vendet kanë adresuar nevojat e më të cenuarve dhe më të pafavorizuarve dhe masat për të mbështetur mirëqenien e komuniteteve shkollore.

Show More

Related Articles

Back to top button