LajmeMaqedoni

As na shohin, as duan të dëgjojnë për kërkesat tona: Personat e verbër në RMV do të protestojnë para Qeverisë

Situata aktuale ekonomike, ndërsa edhe kriza paraprake me pandeminë, kanë përkeqësuar në mënyrë drastike mbijetesën tashmë të brishtë të rreth 10,000 personave të verbër dhe me aftësi të kufizuara fizike. Rritja ditore e çmimeve të ushqimeve bazë e përkeqëson situatën e kësaj kategorie të qytetarëve nga ora në orë, theksojnë për Faktor nga Lidhja nacionale e personave të verbërve të Republikës së Maqedonisë (LNPVRM), për çka pas një serie tentativave të pasuksesshme, siç thonë ata, për t’u ulur dhe të flitet me autoritetet për problemet që i shqetësojnë, sot po dalin për të protestuar para Qeverisë, transmeton Portalb.mk.

Kryetari i Lidhjes nacionale të personave të verbër të Republikës së Maqedonisë (LNPVRM), i cili përfaqëson interesat e të verbërve në Republikën e Maqedonisë, Zarko Selkovski, thotë se në periudhën e kaluar përmes bisedimeve dhe negociatave me përfaqësues nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale, Trupi Koordinues Nacional pranë Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, u përpoq të ofrojë dhe të gjejë zgjidhje të përshtatshme për disa kërkesa themelore.

“Bëhet fjalë për kompensimin e aftësisë së kufizuar, e cila është 7.500 denarë. Për 10 vite rritja është vetëm 500 denarë. Ka qenë e njëjta sasi prej vitesh dhe çmimet vetëm se rriten. Kërkojmë që kjo shumë të lidhet me pagën mesatare, siç ka qenë më parë, pra të jetë 40% e pagës mesatare në Republikën e Maqedonisë. Po ashtu edhe shuma që merret në bazë të përkujdesjes së tjetrit, e cila tani është rreth 4000 denarë, dhe të cilën e kanë ushtruar të drejtën në bazë të llojit të dëmit nga 98% deri në 100%, si dhe ata me dëmtim fizik, duhet të lidhet edhe me pagën mesatare, e jo me shpenzimet e jetesës, gjegjësisht të jetë 30% e pagës mesatare në Republikën e Maqedonisë. Të mos flasim për ndihmat. Personat e verbër ligjërisht nuk kanë të drejtë të përdorin ndihma sipas gjendjes aktuale, andaj kërkojmë zgjidhje sistematike të këtij problemi dhe derisa të gjendet zgjidhje të vazhdohet me pagesën e mjeteve në shumë prej 1.000.000 denarë në vit, të gjitha me qëllim që Lidhja nacionale e të verbërve të Republikës së Maqedonisë të mund t’u sigurojë anëtarëve të vet minimalisht ndihmat e nevojshme për t’ua lehtësuar jetën e përditshme”, thotë Selkovski.

Ai tregon se përkundër të gjitha përpjekjeve që kanë bërë, bisedimeve dhe negociatave me përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, që nga janari nuk ka asnjë rezultat pozitiv. Selkovski theksoi se janë njoftuar të gjitha ambasadat e huaja në vend, ndërsa për takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski thotë se nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“LNPVRM i ka dorëzuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski disa kërkesa për organizimin e takimit të përfaqësuesve të LNPVRM-së, me qëllim që personalisht t’ia përcjellim të gjitha kërkesat tona dhe të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje për to, megjithatë nuk kemi marrë asnjë përgjigje ose më saktë na injorojnë. Bazuar në përvojën e mëparshme se negociatat dhe bisedat me të gjitha institucionet dhe përfaqësuesit e tjerë kompetentë nuk rezultojnë në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare për kërkesat tona, gjegjësisht zvarrisin vazhdimisht, dhe derisa Kovaçevski nuk ndan kohë për të dëgjuar problemet tona dhe për të caktuar termin për realizimin e takimit, LNPVRM do të vazhdojë të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion për të arritur qëllimin e saj. Ne vendosëm të organizojmë protestë, ndoshta do të na shohin dhe na dëgjojnë”, thotë Selkovski.

Marshi do të fillojë pikërisht në mesditë para Shtëpisë së Organizatave Humanitare “Dare Xhambaz”, ndërsa pjesëmarrësit në protestë do të lëvizin drejt Qeverisë, ku do të qëndrojnë deri në orën 15:00.

Ndryshe personat për kujdes nga një person tjetë nuk kanë marrë para prej shtatë apo tetë muajsh. Shumica e këtyre personave, janë me sëmundje të pashërueshme, që kanë nevojë të vazhdueshme për ndihmë, ilaçe dhe kujdes.

Show More

Related Articles

Back to top button