LajmeMaqedoni

Çdo i treti qytetar në RMV është i prekur nga varfëria

Si t’i mbijetojmë ditës është një çështje për të cilën banorët e vendeve të Ballkanit gjejnë një zgjidhje shumë të vështirë, duke pasur parasysh shkallën e lartë të ekspozimit ndaj varfërisë, sipas të dhënave të Eurostat. Çdo i treti banor i Ballkanit, pra mbi 7.9 milionë nga gjithsej 23.3 milionë banorë, janë të ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë, sipas të dhënave të Eurostat-it. Këto të dhëna konfirmojnë de facto se varfëria është një nga problemet kryesore me të cilat po përballet popullsia në rajon dhe se po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e një zgjidhjeje për problemin e varfërisë, që është përditshmëri në Ballkan. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Bashkimit Evropian – Eurostat, të publikuara në raportin për prekjen nga varfëria të qytetarëve të vendeve të BE-së, si dhe të vendeve kandidate për anëtarësim në BE, tregojnë se pothuajse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor janë ndër vendet me rrezik të lartë të ekspozimit nga varfëria.

Një e treta e popullsisë në Maqedoni është në rrezik të lartë

Maqedonia e Veriut u përket vendeve me rrezik të lartë të prekjes nga varfëria, ku më shumë se një e treta e popullsisë, gjegjësisht 32,6 për qind ose mbi 598.768 qytetarë përballen me vështirësi në sigurimin e mjeteve themelore të jetesës. Situata me varfërinë është e ngjashme në Serbi. Një e treta e popullsisë në këtë vend, më saktë më shumë se 2.5 milionë (29.8%) e qytetarëve janë të prekur nga varfëria dhe e kanë të vështirë të sigurojnë mjete jetese. Pothuajse gjysma e popullsisë në Shqipëri, pra mbi 46.2 për qind ose më shumë se 1.4 milionë banorë, janë të prekur nga rreziku i varfërisë ose përjashtimit social, sipas të dhënave të Eurostat-it. Organizata Evropiane e Statistikave vëren se në Mal të Zi, 37.8 për qind e popullsisë, pra mbi 237 mijë banorë malazezë janë të prekur nga varfëria.

Situata është më e mirë në Kroaci dhe Slloveni

Për sa i përket prekjes nga varfëria, situata është dukshëm më e mirë në vendet e rajonit që janë anëtare të BE-së, Kroacia dhe Sllovenia. Në Kroaci, 20,9 për qind e popullsisë, pra më shumë se 846,000 banorë, janë të prekur nga varfëria, ndërsa në Slloveni kjo normë është 13,2 për qind, ose mbi 274,500 banorë. Raporti i Eurostat-it nuk ka nxjerrë të dhëna për Kosovën dhe Bosnjë-Hercegovinën, por Banka Botërore vlerëson se shkalla e varfërisë në Kosovë është 24.9 për qind, ose se së paku 448 mijë nga 1.8 milionë banorët e saj jetojnë në varfëri. Vlerësimi i Bankës Botërore vitin e kaluar është se rreth 20 për qind (640,000 njerëz) e banorëve të Bosnjë e Hercegovinës janë nën kufirin e varfërisë.

Disa nga organizatat ndërkombëtare theksojnë se përveç një të pestës së banorëve që tashmë përballen me varfërinë, mbi 1.6 milionë njerëz ose rreth 50 për qind e popullsisë janë të prirur për t’u varfëruar. Kjo dobësi është shkaktuar kryesisht nga faktorët ekonomikë dhe rimëkëmbja pas luftës, por edhe mungesa e arsimit dhe pandemia, pastaj inflacioni, e përkeqësuan më tej situatën në BeH, por edhe në të gjitha vendet e rajonit. Rreziku mesatar i varfërisë dhe i përjashtimit social në vendet e BE-së, sipas statistikave të Eurostat-it, është 21.9 për qind dhe i referohet 96.5 milionë njerëzve. Më konkretisht, vitin e kaluar në BE ishin 75.3 milionë njerëz në rrezik të varfërisë, 27.6 milionë ishin në një situatë serioze materiale e sociale dhe 27.1 milionë njerëz jetonin në një familje me intensitet të ulët pune.

Çfarë nënkuptohet me rrezikun e varfërisë?

Në rrezik të varfërisë nënkuptohen familjet që përballen me cenueshmëri të rëndë materiale dhe sociale, nuk mund të përballojnë disa gjëra materiale ose aktivitete sociale, ose kanë intensitet shumë të ulët të punës, nivel arsimor etj. Eurostat-i thekson se faktorët që ndikojnë në varfërinë ose përjashtimin social ndikohen nga tregues të tillë si intensiteti i punës, niveli i arsimimit, numri i anëtarëve të familjes, kushtet e jetesës dhe migrimi./Koha/

Show More

Related Articles

Back to top button