Zyrtarët ukrainas kanë deklaruar se ata po synojnë qytete në rajonin lindor të Donbasit pasi kanë arritur të rimarrin shumë territor në një kundërofensivë të shpejtë. Ditët e fundit, ushtria ukrainase rimorri një pjesë të territorit të pushtuar duke i detyruar trupat ruse që të tërhiqen. Presidenti i Ukrainës, Zelensky është shprehur se forcat e tij ushtarake po forcojnë kontrollin e tyre mbi 8,000 km katrorë të territorit të rimarrë në rajonin e Kharkiv.
Pas dështimit për të kapur qytete në të gjithë vendin, përfshirë kryeqytetin Kiev, Rusia është fokusuar në Donbas, pjesë të të cilit ishin nën kontrollin e rebelëve të mbështetur nga Rusia përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në Shkurt të këtij viti.
Serhiy Hayday, kreu i forcave ukrainase të rajonit të Luhansk, një nga dy provincat që përbëjnë Donbas tha se forcat ukrainase kishin arritur në qytetin strategjik të Lyman.
“Ka beteja të ashpra në Lyman tani, të cilat mendoj se do të zgjasin edhe disa ditë,” tha Hayday në një postim në Telegram.
Lyman ra në duart e forcave ruse pas një beteje në fund të Majit. Ndodhet vetëm 50 km (31 milje) larg qytetit të Donetskut, kryeqyteti i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut.
Në zona të tjera, forcat ukrainase thuhet se kanë arritur në kufirin rus dhe Hayday tha se kapja e tyre e dy qyteteve, Izyum dhe Kupiansk mund të çojë në ndërprerjen e linjave të furnizimit për qytetet e kontrolluara nga Rusia, Severodonetsk dhe Lysychansk.
Të hënën, Moska këmbënguli se do të vazhdojë me pushtimin e saj “derisa të arrihen të gjitha qëllimet që ishin vendosur fillimisht”. Por ritmi i avancimit ukrainas duket se i ka zënë në befasi forcat ruse, me raportet se disa nga forcat e Moskës kanë braktisur uniformat e tyre për t’u bashkuar me civilët./tvklan.al