Luftimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, vjen reagimi i Erdogan
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan deklaroi se qasja e Armenisë ndaj Azerbajxhanit është e papranueshme dhe do të keta pasoja.
“Ne e konsiderojmë të papranueshme situatën e krijuar për shkak se Armenia ka shkelur marrëveshjen e arritur pas luftës së vitit 2020, që ka rezultuar me fitore të Azerbajxhanit”, u shpreh Erdogan gjatë një tubimi në Ankara.
Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat kanë luftuar disa herë për rajonin e Nagorno-Karabakut, kanë akuzuar njëri-tjetrin për përleshjet që kanë shpërthyer në orët e vona të së hënës, shkruan Reuters.
“Ne shpresojmë që Armenia do të largohet nga kjo rrugë e gabuar sa më shpejt që është e mundur dhe do të fokusohet në forcim të paqes. Kjo qasje natyrisht se do të ketë pasoja për palën armene, e cila jo vetëm që nuk ka përmbushur kushtet e marrëveshjes së nënshkruar, por vazhdon të ketë qasje agresive”, theksoi ai.
Një konflikt në Kaukazin Jugor, në udhëkryqin e Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, mund të përfshijë fuqitë e mëdha sikurse Rusia dhe Turqia, si dhe mund të rrezikojë tubacionet që çojnë naftë dhe gaz në Evropë.
Erdogan dhe presidenti rus, Vladimir Putin do të diskutojnë luftimet e fundit për Nagorno-Karabakun, kur të takohen në një samit në Uzbekistan në ditët në vijim, ka thënë një zyrtar turk të mërkurën.