LajmeRajon

Serbia merr masa për dimrin, i kërkon FMN-së dhe Emirateve të Bashkuara mbështetje nëse rritet borxhi

Rritja e normave të interesit nga Bankat Qendrore nëpër botë dhe parashikimet e zymta për recesion pas krizës energjetike në ekonomitë e zhvilluara kanë bërë që një nga vendet e rajonit, Serbia të kërkojë ndihmë për borxhin e saj në rritje.

Siç raporton Financial Times, Serbia i është drejtuar FMN-së dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Beogradi ka kërkuar nga FMN të  bëjë një marrëveshje gatishmërie, që i lejon asaj të marrë mbështetjen e institucionit monetar në rast se nuk mund t’i shesë bonot e veta tek investitorët.

Kjo lëvizje sipas autoriteteve do të shmangë rritjen e mëtejshme të kostove të huamarrjes në tregjet ndërkombëtare, të cilat kanë trefishuar normat e interesit që nga fillimi i vitit nga më pak se 2 përqind në mbi 6 përqind.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohë Emiratet e Bashkuara i kanë ofruar Serbisë një hua prej 1 miliardë dollarësh me interes 3 përqind. Presidenti Vuçiç e shpjegoi këtë lëvizje me faktin se nëse do t’i drejtohet tregjeve perëndimore kjo hua do kushtonte të paktën dy herë më shumë.

Serbia është një nga disa vende në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë Hungarinë dhe Rumaninë, që ka parë rritjen e kostove të huamarrjes pas rritjes së mprehtë të normave të interesit nga Rezerva Federale e SHBA dhe Banka Qendrore Evropiane.

Ndërsa kostot e financimit janë rritur në të gjithë Evropën, huamarrësit më të rrezikshëm si Serbia kanë parë që normat e interesit të rriten me një ritëm shumë më të shpejtë.

Agjencitë e vlerësimit të kredisë kanë paralajmëruar Beogradin se qeveria dhe sektori i tij bankar janë të ekspozuar ndaj rrezikut të financimit për shkak të një pjese të lartë të kredive në valutë të huaj.

Top Channel

Show More

Related Articles

Back to top button