Irani ka qenë objektiv i sanksioneve amerikane në ditët e fundit të cilat janë ndikuar edhe nga sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë. Mirëpo Vladimir Putin ka vendosur të forcojë marrëdhëniet me Teheranin zyrtar.
Presidenti i Rusisë Vladimir Putin dhe homologu i tij iranian Ebrahim Raisi kanë vendosur të forcojnë më tej marrëdhëniet e tyre tregtare ndërkohë që janë ndër shtetet më të goditura nga sanksionet amerikane.
Takimi mes dy liderëve u mbajt në kuadër të samitit të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait që është duke mbajtur në Uzbekistan.
Lideri rus i tha presidentit të Republikës Islamike se dy shtetet do të lidhnin partneritet strategjik.
“Ne jemi në fazën përfundimtare të punës për një traktat të ri të madh midis Rusisë dhe Iranit, i cili do të shënojë zhvillimin e marrëdhënieve në nivelin e partneritetit strategjik. Qarkullimi tregtar midis dy vendeve u rrit me 81 % vitin e kaluar dhe me 30 % të tjera në pesë muajt e parë të këtij viti,” tha ai.
Për liderin iranian, çelësi i suksesit ekonomik të dy vendeve janë sanksionet amerikane.
“Amerikanët mendojnë se duke i vendosur një shteti sanksione, ai vend do të ndalet. Perceptimi i tyre është i gabuar. Marrëdhëniet midis vendeve që janë të sanksionuara nga SHBA, Irani e Rusia mund të kapërcejnë më shumë probleme dhe mund të bëhen më të forta,” tha ai.
Javën e ardhshme presidenti rus i tha Raisit se një delegacion me rreth 80 biznese nga Moska do të vizitojë Republikën Islamike.
Putin i premtoi homologut të tij iranian se do të bënte gjithçka që Teherani të anëtarësohej në Organizatën për Bashkëpunim të Shangait të themeluar nga Rusia e Kina për ekonomi dhe siguri në zonën euroaziatike.