Në Kosovë po qëndron emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Për këtë vizitë të papritur, ka njoftuar zëdhënësi i qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai tha se Lajçak është duke u takuar me kryeministrin Albin Kurti.
“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë”, deklaroi Kryeziu.
“Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare. Kjo është arsyeja se pse nuk mund të qëndronte më gjatë në Kuvend”, u shpreh Kryeziu, duke aluduar në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po zhvillohet debat parlamentar për grevën në arsim dhe administratë publike.
“Gatishmëria për të debatuar në Kuvend nuk ka munguar e as nuk do të mungojë asnjëherë”.
Ardhja e Lajçakut në Kosovë ndodhë vetëm disa ditë pasi ai qëndroi në Prishtinë e pastaj në Beograd, i shoqëruar nga dy këshilltarët e tij, gjerman e francez.