BotaLajme

Armenia: Situata me Azerbajxhanin nuk ka ndryshuar

Ministria armene e Mbrojtjes, ka thënë më 16 shtator se armëpushimi me Azerbajxhanin, duket se po zbatohet dhe se “situata nuk ka ndryshuar” në kufi.

Kjo deklaratë vjen pas shpërthimit të ri të luftimeve mes këtyre dy vendeve fqinje, të cilat janë përleshur me dekada për rajonin e Nagorno-Karabakut.

“Deri në orën 07:00 të 16 shtatorit, nuk ka asnjë ndryshim të situatës në kufirin mes Armenisë dhe Azerbajxhanit”, ka thënë sekretari i ministrisë, Aram Torosian.

Përleshjet mes këtyre dy vendeve kanë shpërthyer më 13 shtator dhe kanë përfunduar “falë përfshirjes së faktorit ndërkombëtar” më 15 shtator, ka thënë Këshilli i Sigurisë së Armenisë, pas dështimeve të Rusisë për të ndërmjetësuar një armëpushim.

Azerbajxhani nuk e ka konfirmuar armëpushimin, i cili fillimisht është bërë i ditur nga autoritetet armene.

Ministria e Mbrojtjes në Azerbajxhan, ka thënë më 15 shtator se, 71 ushtarë i janë vrarë në përleshjet e kësaj jave në kufirin me Armeninë.

Azerbajxhani ka thënë se është i gatshëm që t’ia dorëzojë Armenisë trupat e 100 ushtarëve të saj të vrarë.

Armenia ka thënë se 105 ushtarë të saj janë vrarë prej 13 shtatorit.

Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara kanë mirëpritur armëpushimin e 15 shtatorit.

Një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, ka thënë më 15 shtator se armëpushimi “duket se po zbatohet”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, pritet të zhvillojë një takim me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev në Uzbekistan, në margjina të samitit të organizuar nga Organizata e Shangait për Bashkëpunim, grup i sigurisë që dominohet nga Rusia dhe Kina.

Putin do të takohet edhe me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në Turqi, shtet aleat i Azerbajxhanit.

Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësim të Rusisë, janë pajtuar për arritje të armëpushimit më 2020, pas luftës së zhvilluar për gjashtë javë në vjeshtën e po atij viti për rajonin e Nagorno-Karabakut.

Ky rajon është njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, por është kontrolluar nga armenët etnikë qysh në fillim të viteve 1990.

Rreth 6.000 njerëz janë vrarë në luftimet e vitit 2020.

Sipas marrëveshjes, një pjesë e Nagorno Karabakut dhe të shtatë zonat përreth tij, janë vendosur nën administrimin e Azerbajxhanit, pas gati 30 vjetësh nën kontrollin e forcave etnike armene.

Show More

Related Articles

Back to top button