Pas përfundimit të rinovimit të mësonjtoreve në katin e parë, tani shkolla fillore “Ismail Qemali” në Gostivar, ka filluar me renovimin e mësonjtoreve në katin e dytë të godinës shkollore. Rinovimi përfshinë edhe rregullimin e ri të ndriçimit publik dhe orendi të reja shkollore, gjegjësisht banka dhe karrige dhe gjësende të tjera të nevojshme. Shpresa Usieni, drejtoreshë e kësaj shkolle shpreson që punimet të mbyllen brenda një muaji.
“Këtë javë filluam renovimin e klasave në katin e dytë dhe shpresojë se nuk do të zgjasë shumë dhe punimet të përfundojnë brenda një muaji. Tre klasa në katin e dytë i kemi renovuar nga viti i kaluar dhe na kishin mbetur hapësirat e tjera. Vërtetë ka punë dhe shpresojë që siç thonë mjeshtrit për një muaj, por unë mendoj se mund të zgjasë pak më shumë pasi klasat kërkojnë një renovim më të thellë dhe kur bëhet diçka e re është më e lehtë se kur renovohet diçka. Renovimi do të përfshi muret, ndriçimin dhe ndërrimin e orendive”, deklaron Shpresa Useini, drejtoreshë e Sh.F “ismail Qemali”.
Paralelisht me renovimin e mësonjtoreve, do të ndërtohet edhe leximore e cila i ka munguar deri më tani shkollës.
“Leximorja do të jetë një hapësirë e cila sidomos ciklit të ulët i nevojitet shumë, pasi kur bëhet përpuniumi i lektyrave, bëhet më tërheqëse për nxënësit pasi e ndërrojnë klasën dhe do të ndodhen në një hapësirë të veçantë. Pres që leximorja të jep më shumë rezultate si për nxënësit ashtu edhe për mësimdhënësit dhe shpresojë që të krijohet traditë më e madhe për lexim, pasi teknologjia përodert vazhdimisht nga nxënësit dhe u marrin kohë shumë dhe leximi mbetet anash. Besojë që kjo leximore do t’ua kthejë shprehin e leximit”, deklaron më tej drejtoresha Useini.
Useini u bënë thirrje që edhe prindërit të angazhohen në mirëmbajtjen e shkollave publike, pasi aty mësojnë fëmijët tanë.
“Të gjitha punët i bënë komuna, donatorë janë shumë pak edhe pse shkolla ka 1.200 nxënës që i bie nga dy prindë 2.400 prindër. Më vjen keq që e them, por kur është puna për ankesa e vërejtje janë të gjithë aty, por kur është puna për donacion është vështirë t’u drejtohesh njerëzve edhe pse e kuptojmë se është se kriza ekonomike është e thelluar tepër, por kur mundet çdo ditëlindje të festohet dhe çdo manifestim që ekzagjerohet, mundet prindërit të angazhohen edhe për donacione. Kujdestarët e klasave e kanë të vështirë të kërkojnë, por janë prindërit vetë që duhet ta dijnë se nëpër shkolla për të qenë gjithçka siç duhet, duhet të gjithë të angazhohemi, pasi këto janë institucione shtetërore dhe komuna bënë edhe më shumë se sa mundësit, por duhet të gjithë të kujdesemi”, deklaron më tej drejtoresha Useini.
Ndryshe, shkolla fillore “Ismail Qemali” në fillim të viti të ri shkollor bëri paisjen e kabinetit të Informatikës dhe kompjutorë të rinjë të cilët i përmbushin kërkesat dhe plan-programet aktuale për mësim.