Në dosjen e ish-agjentit të FBI, që po hetohet për lidhje me Rusinë, përmenden edhe Kosova e Shqipëria.
Një ish-agjent i lartë i FBI-së është përfshirë në hetimet për kontaktet e fushatës së Trump me Rusinë gjatë zgjedhjeve të vitit 2016.
Charles McGonigal po hetohet për lidhjet e tij me Rusinë dhe qeveritë e tjera të huaja, si dhe sjelljen e tij. Në fund të vitit të kaluar, sipas dokumenteve të brendshme të gjykatës të siguruara nga Insajderi, avokatët amerikanë mblodhën fshehurazi një juri për këtë.
Sipas asaj që mori vesh mediumi, duket se qeveria, pjesërisht, po shqyrtonte marrëdhëniet e biznesit të McGonigal me një ndihmës të lartë të Oleg Deripaska, oligarku miliarder rus i cili ishte në qendër të akuzave se Rusia ka bashkëpunuar për fushatën e Trump për ndërhyrjet në zgjedhjet e 2016-ës.
Sipas dëshmitarëve, prokurorët po shqyrtojnë gjithashtu nëse McGonigal ka lidhje me qeverinë e Bosnjë e Hercegovinës, si dhe ndonjë “pagesë apo dhuratë” që i është dhënë nga qeveritë e Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë.
Dy burime i thanë Insajderit se McGonigal ishte i afërt me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Sipas një email-i të rishikuar nga Insajderi, McGonigal përdori llogarinë e tij zyrtare të emailit të FBI-së duke tentuar që të organizonte një takim mes Ramës dhe një amerikani, firmën e të cilit kryeministri po mendonte të punësonte për një nismë kundër korrupsionit. Në fund, FBI nuk i dha miratimin McGonigal për takimin dhe ai nuk u zhvillua kurrë.
Një përfaqësues i Ramës tha se marrëdhënia e kryeministrit me McGonigal ishte “një marrëdhënie miqësore tërësisht private pa interes publik”.