Sistemi TIMS ende nuk është rikuperuar pas sulmit të hakerave Iranianë. Prej 40 minutash sitemi ka shfaqur sërish probleme në disa pika të kalimit kufitar dhe aktualisht autoritetet po punojnë me procedurë manuale duke regjistruar hyrjet dhe daljet në regjistër me shkrim.
Momentalisht nuk raportohen radhë të gjata në këto pika të kalimit kufitar për shkak të lëvizjeve të ulëta të qytetarëve në këtë vakt. Nuk dihet ende nëse janë pasojat e sulmit kibernetik apo probleme me sistemin.
Në pak muaj Shqipëria është sulmuar kibernetikisht nga Irani 2 herë.Prokuroria bën të ditur se sulmi ndaj AKSHI-t në korrik dhe sulmi i datës 9 shtator ndaj sistemit TIMS janë kryer me të njëjtën tipologji dhe kanë ardhur nga i njëjti burim, ndaj po hetohen në një dosje të vetme.
Prokuroria e Tiranës ka përfshirë në dosjen e hetimit të nisur për sulmin kibernetik ndaj portalit e-Albania në korrik të këtij viti edhe sulmin e fundit kibernetik ndaj sistemit TIMS. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal për veprat penale: “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”,“Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”,“Ndërhyrja në Sistemet kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve”. Objekti i hetimit është sulmi kibernetik ndaj AKSHI-it që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.