BotaLajme

“Nuk është më demokraci”/ BE-ja gati t`i presë fondet Hungarisë 

Hungaria nuk është më demokraci e plotë; ajo është shndërruar në një regjim autokratik hibrid nën drejtimin e qeverisë së vet nacionaliste, dhe kjo gjë po minon vlerat demokratike të të gjithë BE-së.

Me këtë argument, ligjvënësit e Parlamentit Europian i dhanë dritën jeshile një rezolute ku ngriheshin shqetësime serioze për sistemin kushtetues e atë zgjedhor të këtij vendi, për pavarësinë e gjyqësorit dhe korrupsionin e mundshëm, parregullsitë me prokurimet publike, të drejtat e komunitetit LGBT, si dhe lirinë e medias e ato akademike dhe fetare.

Raporti u miratua me 433 vota për, 123 kundër dhe 28 abstenime. Ai publikohet pikërisht në kohën kur Komisioni Europian, trupi ekzekutiv i BE-së, përgatitet të njoftojë gatishmërinë për të pezulluar transferimin e disa fondeve të tij në Hungari, pas dyshimeve për shkelje demokratike.

Në dokument nënvizohet qartë se demokracia dhe të drejtat themelore janë gërryer në këtë vend si pasojë e “përpjekjeve sistematike të qeverisë hungareze” që prej vitit 2018, kur kanë nisur hetimet e bllokut për normat demokratike të këtij shteti. Edhe pse miratimi i një rezolute të tillë jodetyruese, konsiderohet simbolik, ai shkaktoi zemëratën e partisë Fidesz të kryeministrit të Hungarisë, Victor Orban.

“Është e pafalshme që në kohën kur njerëzit po vuajnë pasojat dërrmuese që lufta e Ukrainës ka pasur në ekonomi, Parlamenti Europian gjen momentin për të sulmuar sërish Hungarinë”, tha Balazs Hidveghi, deputet i partisë Fidesz në PE.

Orban, i cili ka fituar një mandat të katërt në pushtet, në prill të këtij viti, ka pasur përplasje të shpeshta me BE-në. Për shkak të mosmarrëveshjeve, partia e tij Fidesz u largua vitin e kaluar edhe nga grupimi i Partive Popullore Europiane.

Show More

Related Articles

Back to top button