Pas luftimeve intensive të premten, as Kirgistani as Taxhikistani nuk paraqitën incidente të mëdha gjatë natës, që tregon se po i përmbahen marrëveshjes për ndërprerje të zjarrit, përveç që policia kufitare kirgize kumtoi se një nga fshatrat e tyre ishte granatuar për një kohë të shkurtë.
Dy ish-republikat sovjetike u ndeshën në kufijtë e tyre këtë javë, duke u akuzuar mes veti se kanë përdorur tanke, minahedhës, artileri raketore dhe fluturake pa pilot në sulmet ndaj lagjeve kufitare.
Çështjet kufitare në vendet e Azisë qendrore kryesisht datojnë nga epoka sovjetike kur Moska tentoi ta ndajë rajonin mes grupeve, lagjet e të cilave ndodhen mes atyre të grupeve të tjera etnike.
Kirgistani, i cili kumtoi për 24 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur, tha se fshati rajonal ishte granatuar me minahedhës për pesë minuta në mëngjesin e së shtunës, pas natës kryesisht të qetë.
Taxhikistani nuk dha deklaratë zyrtare për numrin e viktimave, por burime të sigurisë kumtuan se së paku shtatë persona e humbën jetën të premten. Policia kufitare e Taxhikistanit të premten kumtoi se helikopterët kirgizë dhe fluturaket pa pilot sulmuan disa fshatra të Taxhikistanit.
Shërbimet e sigurisë të Taxhikistanit kumtuan se shefat e sigurisë të të dy vendeve sot do t’i vazhdojnë bisedimet për zgjidhjen e konfliktit.