Inter-Juve, dy rivalë të përbetuar, si rrallë herë po përjetojnë një situatë shumë të ngjashme, për fat të keq negative. Të projektuar si favoritë, dy ekipet e shohin veten të zhytur në krizë të thellë, në mungesë të theksuar rezultatesh. Në një situatë të tillë, përgjegjësia në radhë të parë bie mbi dy trajnerët, Inzaghi-Allegri.
Tekniku i “Zonjës së Vjetër” kapet fort pas mungesa të shumta, ky është fakt, por në çdo rast një humbje përballë Monza-s është e vështirë për tu justifikuar. Juve duket shumë e ndarë, për të mos thënë e përçarë, lojtarët e afruar gjatë verës nuk janë përshtatur aspak me pjesën tjetër të ekipit, Di Maria, Kostic e Paredes, janë larg emrit dhe pritshmërisë, në sfidën e fundit Di Maria u ndëshkua edhe më të kuqe, ndërsa Pogba, afrimi më i bujshëm, mbetet në bokse. Më shumë se humbja përballë Monza-s, mbi Allegrin rëndojnë shumë dy humbjet në Champions, Juve nuk e ka luksin të qëndrojë jashtë Champions League që në fazën e grupeve. Në të njëjtën situatë ndodhet edhe Inter.
Inzaghi ka në dispozicion të njëjtin ekip si një vit më parë, nuk është më Perisic, por rikthyen Lukakun. Nuk është më as çështje fizike, Udinese e dominoi nga fillimi në fund. Inzaghi ka humbur grupin, përgjegjësia është shumë e madhe mbi trajnerin, zëvendësimet e tij që në pjesën e parë kanë ngritur shumë dyshime. Sigurisht edhe klubi ka pjesën e vet të përgjegjësisë, nuk afruan Dybala, pikërisht në këtë pikë Inter po vuan më shumë, nuk kanë fantazi për të shkuar deri te porta, i mungon pasi final. Pauza që sjellin përfaqësueset vjen si bekim për dy trajnerët, të cilët e kanë të vështirë të kthejnë kokën pas për të parë se ku ndodhen, Inter në vendin e 7-të me 12 pikë, Juve një kat më poshtë me 10 pikë në 7 javë.(BalkanWeb)