Të dhënat e ish-Drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano janë vjedhur nga hakerët iranianë gjatë sulmit kibernetik të sistemit TIMS.
Hakerët kanë nxjerrë në Telegram në një grup të hapur të dhënat e TIMS të Nanos, që do të thotë se ata kanë pasur akses të plotë në TIMS gjatë kohës së sulmit. Ata gjithashtu kanë publikuar edhe mailboxing e tij, ku gjendeshin e-maile nga viti 2021 dhe më tej në kohën që Nano ka qenë në detyrë.
Janë me shumë se 1400 e-maile dalëse dhe 1200 hyrese dhe mbi 1400 attachment.
E-mailet janë me Kryeministrinë, me Ministrinë e Brendshme, me ambasada të shteteve të ndryshme, për menaxhimin e policisë, pikave kufitare dhe menaxhimin e aktiviteteve të mëdha siç ishte ajo e Conference League që u mbajt në maj në Tiranë.
Ata publikuan të gjitha të dhënat biometrike të ish-drejtorit Gledis Nano, së bashku me të dhënat e çdo hyrje-dalje që ka bërë Nano në vend për periudhën 2004-2022.
Ndërkohë ende nuk ka asnjë reagim zyrtar as nga ana e Gledis Nanos apo e institucioneve qeveritare në lidhje me këtë situatë.
Në faqet e hakuara është i njëjti simbol që është shfaqur në disa kompjuterë të policisë, kur Irani sulmoi sistemin TIMS disa javë më parë.
Gjithashtu pasi kanë sulmuar sistemin TIMS në Shqipëri, hackerat iranianë kanë publikuar një video në faqen ‘Homeland Justice’ të një prej pikave kufitare, në Rinas, në momentin që policët zbulojnë se kanë rënë pre e një sulmi kibernetik.
Në video shënohet ora 20:00 e datës 9 shtator 2022. Sistemi nuk funskionon dhe duket teksa polici i bën refresh dhe kërkon edhe ndihmë, ndërkohë që qytetarët presin në radhë për të bërë verifikimin.
Bazuar në pamje ata arritën të hakeronin edhe kamerat në të disa pika të kalimit kufitar të vendit tonë.
Vendi ynë u përball me sulmin kibernetik të sistemit TIMS prej javësh, duke sjellë kaos në pikat kufitare të vendit.