Shkup, 20 shtator – Ministri i Vetadministrimit Lokal nga radhët e Partisë Liberal-Demokratike, Goran Milevski sot pritet ta deponojë dorëheqjen e tij në Qeveri.
Milevski tha se po tërhiqet për shkaqe personale, ndërsa deri nga fundi i javës pritet që partia e tij të propozojë kandidat të ri për ministër.
Ministri i ri, sipas Milevskit, nuk do të jetë nga radhët e deputetëve.
“Përjashtohet mundësia që ai të jetë dikush nga deputetët”, deklaroi Milevski për MIA-n.
Një pjesë e mediumeve publikuan se Milevski do të tërhiqet edhe nga funksioni i liderit në PLD, ndërsa një nga kandidatët, të cilët do ta zëvendësonin është nënkryetarja aktuale, Monika Zajkova, e cila deklaroi se nëse e merr përkrahjen e nevojshme nga trupat partiakë, do të ishte nder për të ta kryejë funksionin kryetare e PLD-së.
Milevski është anëtar i PLD-së nga viti 1995. Nga viti 2015 e kryen funksionin kryetar i partisë. Për ministër të Vetadministrimit Lokal është zgjedhur më 27 qershor të vitit 2019.