BotaLajme

Ukraina e quan “terrorizëm bërthamor” sulmin rus në termocentralin e saj

Një raketë ruse shpërtheu të hënën afër një centrali bërthamor në Ukrainën jugore, duke dëmtuar pajisjet industriale aty pranë, por nuk preku tre reaktorët e tij.

Autoritetet ukrainase e denoncuan këtë veprim si një akt të “terrorizmit bërthamor”.

Raketa goditi brenda një distance prej 300 metrash nga reaktorët e centralit bërthamor në Ukrainën jugore, pranë qytetit të Yuzhnoukrainskit në provincën e Mykolaivit, duke hapur një gropë 2 metra të thellë dhe 4 metra të gjerë, tha kompania ukrainase “Energoatom”, e cila operon centralin bërthamor.

Reaktorët po funksiononin normalisht dhe asnjë punonjës nuk u lëndua, thuhet në njoftimin e kompanisë ukrainase. Por afërsia e sulmit riktheu frikën se lufta gati 7-mujore e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë një katastrofë bërthamore.

Ky është termocentrali më i madh bërthamor në Ukrainë pas atij të Zaporizhzhias, i cili ka qenë objekt i sulmeve të vazhdueshme.

Pas humbjeve të fundit në fushën e betejës, presidenti rus Vladimir Putin kërcënoi javën e kaluar se do të shtonte sulmet ndaj infrastrukturës ukrainase. Gjatë gjithë luftës, Rusia ka vënë në shënjestër pajisjet e prodhimit dhe transmetimit të energjisë elektrike të Ukrainës, duke shkaktuar ndërprerje dhe duke rrezikuar sistemet e sigurisë së termocentraleve bërthamore të vendit.

Kompleksi bërthamor përgjatë lumit jugor Bug ndodhet rreth 300 kilometra në jug të kryeqytetit të Ukrainës, Kievit. Sulmi shkaktoi mbylljen e përkohshme të një hidrocentrali aty pranë dhe dëmtoi më shumë se 100 dritare në kompleks, thanë autoritetet ukrainase. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike tha se tre linja energjetike u ndërprenë, por më vonë u rilidhën me rrjetin energjetik.

Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës publikoi një video që tregon dy topa të mëdhenj zjarri që shpërthyen njëri pas tjetrit në errësirë, 19 minuta pas mesnatës, të dielën. Ministria ukrainase e Mbrojtjes dhe kompania “Energoatom” e quajtën sulmin “terrorizëm bërthamor”.

Ministria ruse e Mbrojtjes nuk ka komentuar menjëherë për sulmin.

Forcat ruse kanë pushtuar centralin bërthamor të Zaporizhzhias, më i madhi në Evropë, që nga fillimi i sulmit ndaj Ukrainës më 24 shkurt. Bombardimet kanë ndërprerë linjat e transmetimit të termocentralit, duke detyruar operatorët të mbyllin gjashtë reaktorët e tij për të shmangur mundësinë e rrjedhjes së rrezatimit bërthamor. Rusia dhe Ukraina kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet.

Patricia Lewis, drejtoreshë e kërkimeve në fushën e sigurisë ndërkombëtare në Institutin Chatham House në Londër, tha se sulmet në centralin e Zaporizhzhias dhe sulmi i së hënës në centralin bërthamor në Ukrainën Jugore tregojnë se ushtria ruse po përpiqet të nxjerrë jashtë funksionit centralet bërthamore të Ukrainës përpara dimrit.

“Vënia në shënjestër e një centrali bërthamor është një akt shumë i rrezikshëm dhe i paligjshëm”, tha zonja Lewis. “Vetëm gjeneralët mund të dijnë qëllimin e sulmit, por ato janë bërë më të shpeshta.”

“Ata duket se po përpiqen të ndërpresin prodhimin e energjisë nga reaktori bërthamor”, tha ajo. “Është një mënyrë shumë e papërgjegjshme për ta bërë këtë, sepse sa të sakta janë këto raketa?”

Energjia elektrike nevojitet për të vënë në punë pompat e ujit që përdoren për ftohjen e reaktorëve për të shmangur mundësinë e shkrirjes së tyre dhe lirimit të rrezatimit bërthamor.

Forcat ruse kanë vënë në shënjestër edhe termocentralet në veri dhe një digë në jug të vendit. Këto sulme u kryen në përgjigje të kundërofensivës ukrainase në lindje të vendit, gjatë së cilës forcat ukrainase rimorën territore të pushtuara nga Rusia në rajonin e Kharkivit.

Analistët kanë vënë në dukje se sfidë për forcat ukrainase do të jetë mbajtja nën kontroll e territoreve të rimarra. Në një video-fjalim të hënën, presidenti ukrainas Volodymr Zelenskyy tha lidhur me këtë se, “unë nuk mund t’i zbuloj të gjitha detajet, por falë Shërbimit të Sigurimit të Ukrainës, ne jemi tani të sigurt se pushtuesit nuk do të kenë asnjë bazë në tokën ukrainase”.

Sukseset e Ukrainës në Kharkiv, disfata më e madhe e Rusisë që kur forcat e saj u zmbrapsën nga rrethinat e Kievit në fillim të sulmit të tyre ndaj Ukrainës, kanë nxitur kritika të rralla publike në Rusi dhe kanë shtuar presionin ushtarak dhe diplomatik ndaj Putinit. Kritikët nacionalistë të Kremlinit kanë ngritur pyetjen se pse Moska ka dështuar të zhysë Ukrainën në errësirë, duke goditur të gjitha termocentralet e saj të mëdha bërthamore./ Zëri i Amerikës

Show More

Related Articles

Back to top button