BotaLajme

Rusia ashpërson dënimet për ushtarët dezertorë

Dhoma e ulët e parlamentit, e kontrolluar nga Kremlini, ka miratuar legjislacionin që ashpërson dënimin për ushtarët që shkelin detyrat e tyre, në një përpjekje të dukshme për të rritur disiplinën e ushtarëve të cilët po marrin pjesë në luftën në Ukrainë.

Ndryshimet në Kodin Penal të Rusisë, të cilat u miratuan me procedurë të përshpejtuar nga Duma e Shtetit, parashikojnë dënime të rënda për moszbatimin e urdhrave, dezertimin ose dorëzimin ndaj armikut, shkruan Sky News të martën.

Projektligji duhet të marrë miratimin e Dhomës së lartë dhe më pas të nënshkruhet nga presidenti Vladimir Putin për t’u bërë ligj, hapa këta që konsiderohen si formalitet.

Sipas legjislacionit të ri, braktisja e një njësie ushtarake gjatë një periudhe mobilizimi ose gjendjeje ushtarake do të dënohej me deri në 10 vjet burgim, krahasuar me pesë vjet sa parashikohet me ligjin aktual.

Ushtarët që do t’i dorëzohen vullnetarisht armikut do të përballen gjithashtu me një dënim deri në 10 vjet burgim dhe ata që dënohen për plaçkitje mund të dënohen me 15 vjet burgim.

Një tjetër ndryshim parashikon një dënim me burgim deri në 10 vjet për ata që refuzojnë të shkojnë në luftime ose të zbatojnë urdhrin e oficerit.

Legjislacioni i ri vjen pas raportimeve të mediave se disa ushtarë rusë në Ukrainë kanë refuzuar të shkojnë në luftime dhe janë përpjekur të japin dorëheqjen nga shërbimi. /arbresh.info/

Show More

Related Articles

Back to top button