LajmeMaqedoni

Komiteti për mbrojtjen e pakicave: Maqedonia të investojë seriozisht në zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve

Zbatimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, theksohet më tej, nxjerr në pah një hendek të theksuar midis ambicieve të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe situatës konkrete në administratë dhe gjykata. Për të korrigjuar këtë, nevojiten investime të domethënëse në trajnimin dhe rekrutimin e përkthyesve dhe stafit dygjuhësh, vlerëson Komiteti këshillëdhënës i konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare në një opinion të ri të publikuar sot, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Strasburgu, transmeton Portalb.mk.

Derisa marrëdhëniet ndëretnike janë përmirësuar, vijat ndarëse etnike dhe gjuhësore dalin në pah në kohë krize. Qëndrueshmëria e strategjisë “Një shoqëri për të gjithë”, kërkon qasje ndërkulturore efektive, mbështetje më të fortë politike të nivelit të lartë dhe financim solid,

Komiteti shpreh keqardhjen që mjediset e përziera të shkollave dhe klasave mbeten përjashtim. Duhet të zbatohet një qasje ndërkulturore, e cila përfshin trajnimin e mësuesve dhe nxënësve për kulturat dhe historitë e pakicave të ndryshme dhe kontakte më të rregullta ndërmjet nxënësve me prejardhje të ndryshme etnike.

Korniza ligjore për luftë kundër gjuhës së urrejtjes dhe krimit të urrejtjes është përmirësuar përsëri, por zbatimi mbetet i dobët, thuhet në të, dhe gjuha e urrejtjes, veçanërisht në internet, është problem serioz. Ka disa raste të shkeljeve të të drejtave të njeriut nga forcat policore dhe rrallë ndërmerren sanksione kundër pjesëtarëve të policisë. Prandaj, autoriteteve maqedonase u kërkohet të sigurojnë që veprat e urrejtjes dhe gjuha e urrejtjes të hetohen si duhet dhe të forcojnë mekanizmat për monitorimin e sjelljes së policisë.

Edhe përkundër rritjes së moderuar të shkallës së regjistrimit dhe rënies së frekuentimit në shkollat ​​speciale, fëmijët romë vazhdojnë të arrijnë rezultate arsimore dukshëm më të ulëta. Autoritetet duhet të luftojnë fort kundër ndarjes faktike të shkollave duke rritur regjistrimin e fëmijëve romë në arsimin parashkollor dhe duke përmirësuar qasjen e tyre në arsim cilësor. Anëtarët e komunitetit rom duhet të kenë qasje në shërbimet shëndetësore falas të garantuara me ligj dhe vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet qasjes në shërbimet e shëndetit riprodhues dhe informacion për gratë rome.

Autoriteteve u kërkohet gjithashtu të forcojnë pjesëmarrjen socio-ekonomike të anëtarëve të pakicave kombëtare që jetojnë në zonat rurale duke investuar në infrastrukturë dhe në mundësitë e punësimit të cilët janë pjesë e pakicave.

Në këtë mendim të pestë nuk përmendet pakica bullgare në vend, e cila sipas marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes duhet të përfshihet në Kushtetutën e Maqedonisë.

Konventa kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare është marrëveshja më gjithëpërfshirëse evropiane për mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare. Është instrumenti i parë shumëpalësh ligjërisht detyrues i dedikuar mbrojtjes së pakicave kombëtare në botë. Zbatimi i tij monitorohet nga Komiteti Këshillimor i përbërë nga ekspertë të pavarur. E hyrë në fuqi më 1 shkurt 1998, marrëveshja zbatohet aktualisht në 39 vende.

Komiteti vlerëson se nëpërgjithësi, Maqedonia e Veriut ka arritur përparim të dukshëm në mbrojtjen ligjore të të drejtave të pjesëtarëve të pakicave kombëtare duke përmirësuar politikat e saj në përputhje me Konventën kornizë, por zbatimi praktik i të drejtave duhet të përmirësohet.

Autoritetet maqedonase vazhdojnë të zbatojnë Konventën kornizë kryesisht për pakicat kombëtare të listuara në Kushtetutë (shqiptarët, boshnjakët, romët, serbët, turqit dhe vllehët), megjithëse ka njëfarë fleksibiliteti për grupet e panjohura.

Ky, opinioni i pestë i Komitetit këshillimor për konventën kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare bazohet në informacionin e dhënë nga burime qeveritare dhe joqeveritare, përfshirë ato të marra gjatë vizitës së tyre në vend në nëntor 2021. Opinioni është publikuar së bashku me komentet e autoriteteve maqedonase. Përmbledhja e mendimit të pestë është gjithashtu në dispozicion në maqedonisht dhe shqip.

Kështu, Komiteti këshillimor i Këshillit të Evropës udhëzoi disa rekomandime që synojnë forcimin e mëtejshëm të barazisë dhe luftës kundër diskriminimit, mbrojtjen e pakicave kombëtare nga armiqësia dhe dhuna, promovimin e kulturave të tyre, përmirësimin e edukimit dhe përfaqësimit të tyre në media, si dhe të drejtat gjuhësore dhe të drejtat e punës dhe strehimit.

Show More

Related Articles

Back to top button