BotaLajme

Perëndimi reagoi pas njoftimit të Putinit për mobilizim të pjesshëm ushtarak

Pas nënshkrimit të dekretit të presidentit rus, Vladimir Putin, për mobilizim të pjesshëm ushtarak në Rusi, kanë nisur reagimet e udhëheqësve perëndimorë, të cilët e shohin këtë si “shenjë paniku”, transmeton REL.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se Putin, me njoftimin e tij për mobilizimin ushtarak, “është duke pranuar se pushtimi [i Ukrainës] është duke dështuar”.

Qeveria gjermane tha se njoftimi i Putinit tregon se “sulmi rus në Ukrainë nuk është i suksesshëm”.

Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha se urdhri i mobilizimit i Putinit është “shenjë paniku” në Kremlin, që “nuk duhet të merret si kërcënim i drejtpërdrejtë për luftë me Perëndimin”.

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Kaikkonen, tha se vendi i tij po e monitoron nga afër situatën.

“Për sa i përket rrethinës së Finlandës, mund të them se situata ushtarake është e qëndrueshme dhe e qetë”, tha ai.

Putin, po ashtu, paralajmëroi Perëndimin se Rusia do t’i përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të mbrojtur territorin e saj dhe tha se “ky nuk është një mashtrim”.

Ministrja e Jashtme britanike, Gillian Keegan, tha se kërcënimi i Putinit ndaj Perëndimit “është drithërues”.

“Është një kërcënim serioz, por është një kërcënim që është bërë më parë”, tha ajo për BBC-në.

Një ditë më herët, rajonet e pushtuara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore shpallën planet për të mbajtur referendume për bashkim me Rusinë.

Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 24 shkurt.

Show More

Related Articles

Back to top button