Athina zyrtare po intensifikon tonet e ashpra me fqinjin Turqi duke e akuzuar se ka pushtuar territore të shteteve të tjera duke përfshirë Qipron dhe se ka vënë në dyshim sovranitetin e Greqisë mbi ishujt e Egjeut, madje duke bërë dhe një aludim rrëqethës për reduktimin e mistershëm të 95 mijë minoritarëve grekë.
Deklarata e Ministrit grek të Punëve të Jashtme Nikos Dendias, u bë duke folur me gazetarët, gjatë pjesëmarrjes së tij në sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (New York, SHBA)
Çdo herë, – tha ai, – qëndrimet e Turqisë, zgjerojnë kornizat me të cilat duhet të përballet logjika njerëzore. Pastaj shtoi:
“Vendi, i cili manipulon me çështjen e emigracionit duke vënë në rrezik jetën e dhjetëra mijëra njerëzve, vjen këtu dhe akuzon Greqinë edhe për krime kundër njerëzimit. Duke përdorur madje, të dhëna të të pavërteta, të cilat kanë marrë përgjigje këtu e dhjetë ditë më parë.
Vendi i cili kërcënon drejtpërsëdrejti me luftë, vendi që ka votuar casus belli, vendi i cili vë në dyshim sovranitetin grek mbi ishujt e Egjeut, vjen këtu dhe flet për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë.
Vendi, i cili mban të pushtuara territore të vendeve të huaja, mes të cilave edhe të Republikës së Qipros, vjen këtu dhe flet për kushte sigurie dhe mirëkuptimi në Mesdheun Lindor.
Përgjigjja që kemi për të dhënë është se Turqia do të bënte mirë të respektonte të Drejtën Ndërkombëtare dhe të rikthehet sa më shpejt të paktën në kuadrin e logjikës.
Pretendimet konkrete të palës turke janë dëgjuar dhe kanë përgjigje shumë herë. Pikë së pari, Greqia është një vend europian që respekton plotësisht të drejtat e njeriut dhe sigurisht, të drejtat e minoritetit mysliman.
Për më tepër, këtë e vërtetojnë shifrat. Minoriteti mysliman në Greqi rritet, zgjerohet dhe jeton në mirëqënie.
Mirë do të ishte që Turqia të jipte përgjigje se çfarë i ndodhi minoritetit grek në Stamboll dhe në çfarë mënyre, minoriteti prej mbi 100 mijë vetësh dikur i lulëzuar, sot është reduktuar në më pak se 5 mijë vetë. Ose siç thuhej dikur, Turqia nuk ka ta drejtë të flasë”. /noa.al