BotaLajme

Siria: Pushtimi pasohet nga kolera

Organizatat humanitare paralajmërojnë për një epidemi: në Sirinë veriore, rastet e dyshuara të kolerës janë në rritje. Mungesa e ujit është një nga shkaqet – dhe kjo është edhe për shkak të pushtimit turk të rajonit.

Ata qajnë, bërtasin, shtrihen në shtretër plastikë, plotësisht të rraskapitur: fëmijë me simptoma të kolerës në klinikën komunale të Hasakës. Mjekët kanë konfirmuar tashmë 30 raste. Numri po rritet çdo ditë.

Prindërit dhe gjyshërit e pacientëve të vegjël rrinë pranë shtretërve shumë të shqetësuar. “Ata ka katër ditë që janë këtu,” thotë Wahba Al-Hammad, nëna e dy fëmijëve të sëmurë. “Ata kanë ende temperaturë të lartë, diare dhe të vjella”.

Medikamente jo për të gjithë

Veçanërisht të rrezikuar janë fëmijët dhe të moshuarit: kur kolera nuk trajtohet shpejt, sëmundja mund të ketë pasoja fatale. Megjithatë, në klinikë, medikamentet janë të mjaftueshme vetëm për një në dy pacientë të rinj.

“Fatkeqësisht nuk mund t’i ndihmojmë të gjithë, aktualisht mund të ndihmojmë vetëm një në dy pacientë,” thotë mjeku Shivan Mustafat, në departamentin e të cilit u pranuan  vetëm atë ditë tetë pacientë dhe u transferuan në terapi intensive. “Nëse organizatat ndërkombëtare nuk na ndihmojnë shpejt, nëse nuk sigurojnë që të kemi ujë të mjaftueshëm të pastër përsëri në Hasakë, ne po shkojmë drejt katastrofës.”

Një terren ideal për përhapjen e kolerës

Hasaka vuan nga mungesa ekstreme e ujit. Turqia ka mbyllur rubinetin për banorët e rajonit, siç ankohen ata. Në vitin 2019, njësitë turke pushtuan një brez kufitar në Sirinë verilindore, pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan e konsideron vetëadministrimin kurd një organizatë terroriste që duhet luftuar.

Turqia tani kontrollon gjithashtu fabrikën e ujit që furnizon rajonin. Por uji pothuajse nuk vjen nga atje. Turqia gjithashtu nxjerr shumë ujë nga lumenjtë, thuhet. Disa janë plotësisht të thatë. Nxehtësia dhe thatësia i shtohen së gjithës.

Tani në Hasaka, ata shpesh marrin ujë nga puset e ndotura – terreni i përsosur për përhapjen e kolerës. Higjena është katastrofike në shumë vende. Fëmijët shpesh pinë nga të njëjtat gota. “Kontejnerët e ujit nuk janë të pastër, të pa pastruar dhe thjesht nuk ka dezinfektim,” ankohet Muhammad Al-Ezz, një banor i Hasakës.

Furnizimi me ujë është problem në të gjitha kampet e refugjatëve në Siri – në Rakka, organizatat e ndihmës po vendosin kontejnerë të mëdhenj për refugjatët.

Kampi i refugjatëve “bombë me sahat”

Refugjatët në rajon, të dëbuar nga qytetet dhe fshatrat e tyre kufitare nga njësitë turke, janë veçanërisht të prekur. Vetëm në kampin e refugjatëve afër Hasakës jetojnë rreth 15.000 njerëz. Uji është i pakët dhe shpesh i ndotur. Numri i rasteve të kolerës po shtohet. Në kamp ekziston frika se sëmundja po përhapet me shpejtësi rrufe tek refugjatët.

Doktori Dollar Farhan, i cili trajton pacientët në kamp, paralajmëron: “Kampet janë sigurisht gjithmonë bombë me sahat kur bëhet fjalë për sëmundje të tilla, sepse atje ka shumë ndotje. Uji nuk është i pastër, as perimet nuk janë, mishi dhe ushqimi nuk janë të pastër. Në pazar kalojnë makinat dhe hedhin pluhur e papastërti mbi ushqimet”.

Qindra raste të dyshuara janë raportuar tashmë në rajon, së bashku me disa vdekje. Organizatat humanitare tani po paralajmërojnë për një shpërthim kolere në Siri. Do të ishte i pari në dhjetë vitet e fundit dhe një lajm i ri i keq në këtë vend në krizë.

Show More

Related Articles

Back to top button