Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) ka reaguar duke thënë se Qeveria dhe Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL) duhet së bashku të gjejnë zgjidhje të pranueshme për tejkalimin ose zbutjen e krizës energjetike në shkolla.
“Mësimdhënia nga distanca nuk është opsion i pranueshëm për më të prekurit: nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit”, thekson SASHK.
Zëdhënësi i Qeverisë, Dushko Arsovski, dje theksoi se mësimi me prezencë fizike është në interes të nxënësve dhe shtoi se nuk ka ndryshim në mënyrën e realizimit të tij.
Qeveria, siç tha ai, është në komunikim me të gjitha palët e interesuara përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për t’u përballur me sfidat e krizës energjetike.
Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari për kërkesën e një pjese të komunave për vazhdimin e pushimit dimëror të nxënësve për të kursyer rrymë dhe dru zjarri dhe sa të arsyeshme janë kërkesat që një pjesë e shpenzimeve dhe subvencioneve të mbulohen nga Qeveria, Arsovski tha se nuk ka pasur asnjë diskutim për këtë çështje në seancën e fundit të Qeverisë.
“Në seancën e fundit të Qeverisë nuk është diskutuar për këtë çështje. Qeveria mbetet e përkushtuar për tejkalimin e sfidave të shkaktuara nga kriza energjetike dhe është në komunikim me të gjitha palët e interesuara përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës”, tha zëdhënësi Arsovski, duke shtuar se nuk ka ndryshim në mënyrën e mësimdhënies me prezencë fizike në shkollar fillore dhe të mesme.
Organizimi sa i përket shpenzimeve për ngrohjen e shkollave, shtoi zëdhënësi i Qeverisë, është në kompetencë të komunave, përkatësisht të vetëqeverisjes lokale, dhe për këtë Ministria e Arsimit dhe Shkencës u paguan subvencione komunave.\Telegrafi\